
TIRANE- Mungesa e transparencës nga ana e institucioneve tona është një nga problematikat më madhore që has media për të ushtruar detyrën e saj. Por ky problem duket se ka "infektuar" institucionet edhe në raportet e tyre me njëra-tjetrën. Një shkresë e publikuar nga gazetari Isa Myzyraj, tregon sesi Gjykata Kushtetuese i ka kërkuar Këshillit të Ministrave që ti japë në dorëzim disa dokumente. Çfarë ka ndodhur? Një përgjigje që nuk pritej, vjen nga KM. Në përgjigje dorazi sipër shkresës, institucioni njofton se ka humbur një llogari emaili, pasi një punonjëse është larguar nga detyra që ka patur.
"Kërkesa për komente mbi draft-ligjin është bërë me email. Ky email nuk gjendet për shkak të mbylljes së llogarive personale të punonjësve pas largimit nga puna"-thuhet në shkresë.
Shkruan Isa Myzyraj: Gjykata Kushtetuese ka vendosur me vendim, që Këshilli i Ministrave të vërë në dispozicion X dokumente. Këshilli i Ministrave përgjigjet me këtë letër të një nxënësi të klasës së pestë, ku thotë se punonjësja e shtetit ka ikur, dhe për pasojë është mbyll emaili, ndaj nuk kemi këto dokumente. Në këto kushte, sipas meje, kur shteti shqiptar vendos të tallet, mbetet për t’i bërë kërkesë zyrtare Republikës Islamike të Iranit; për të na dhënë këto emaile që i mban në serverat e tij! Shtet gallatë./Zëri.ai
