
TIRANË- Ervin Salianji, Kryetar i Komisionit Hetimor për sistemin TIMS, tha se ky komision ka arritur të zbulojë edhe më shumë se sa ka menduar se mund të zbulonte në nisje të punës së tij. Ardit Muça, ish-përgjegjës i sektorit të Teknologjisë (IT) në Policinë e Shtetit dëshmoi i pari në Komisionin Hetimor të ngritur për rrjedhjen e të dhënave të sistemit TIMS. Edhe sot, njëjtë si pak ditë më parë, dëshmitë po zhvillohen me dyer të mbyllura, kërkesë e cila u miratua pas më shumë se gjysmë orë debat në Komision.
"Mbrojtja e të drejtave të mia për respektimin e jetës private, për garantimin e sigurisë time fizike, si dhe për shkak të informacioneve të klasifikuara,"-ka deklaruar Muça në shkresën që ka dorëzuar para se të futej në Komision.
Si përfundim, 8 vota të maxhorancës mjaftuan për të plotësuar kërkesën e Muçës. Më tej në Komisioin Hetimor si dëshmitare është paraqitur Ervina Gjana, drejtore e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit.
“Duke qenë dëshmitë u dhanë me dyer të mbyllura dhe struktura që unë drejtoj është hetimore, do të preferoja të jepja dëshmi me dyer të mbyllura”, tha ajo.
Kryetari i Komisionit, Ervin Salianji kërkoi që kjo mbledhje të zhvillohej me dyer të hapura, e të njëjtën gjë pretenduan edhe deputetët e tjerë të opozitës.
"Duhet ta marrim në konsideratë edhe pse unë mendoj se të gjitha dëshmitë duhet të jenë më dyer të hapura. Sepse nuk ka ndonjë sekret shtetëror. Pretendimi është që nuk ka dalë asnjëherë në publik. PS dhe mazhoranca e ka ves ti bëj natën dhe në errësirë siç u bë ndërhyrja në TIMS. Ne po themi të ndezin dritat, çfarë frike keni ju?,"- tha Salianji.
Përgjigjen e mori nga nënkryetari, deputeti i Partisë Socialiste, Toni Gogu, i cili kërkoi që të mos humbej kohë me debate të kota, duke listuar edhe dëshmitarët e tjerë që do të raportojnë sot në ambientet e Kryesisë së Kuvendit. Gjithashtu, mes tyre u miratua edhe lista e dëshmitarëve që do të merren në pyetje më datë 26 qershor. E para që do të thirret në sallë për të dëshmuar është Vlora Hyseni, shefja e Shërbimit Informativ të Shqipërisë (SHISH), e cila do të ndiqet nga Enri Ndoni, Drejtor i Sistemeve, Policia e Shtetit; Zef Laska, Drejtor i Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Neritan Nallbati, Drejtor i Departamentit të Policisë Kriminale dhe Sajmir Boshnjaku, Drejtor i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin.
Më herët, nga Komisioni janë marrë në pyetje Ervin Muça, personi që akuzohet se ka nxjerrë të dhënat e TIMS, kryepolici Muhamet Rrumbullaku dhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla. Të treja këto dëshmi janë dhënë me dyer të mbyllura në mbledhje që kanë zgjatur deri në orët e para të mëngjesit. Për këto dëshmi ka folur vetëm Salianji, i cili i ka përshkruar vetëm me një fjalë "të llahtarshme", por për shkak se i duhet të ruajë sekretin e hetimeve është frenuar në ndarjen e më shumë detajeve.
Ç'ka ndodhur me sistemin TIMS?
Sulmi i ndodhur në 2022 ndaj sistemit TIMS është marrë përsipër nga një grup i identifikuar si Homeland Justice, i cili, sipas qeverisë shqiptare është i financuar nga Irani. Pikërisht për këto sulme, jo vetëm ndaj TIMS por edhe institucioneve të tjera, kryeministri Edi Rama deklaroi ndërprerjen e marrëdhëneve me Republikën Islamike të Iranit. Pas sulmeve kompania Microsoft që mori pjesë në hetimin e ngjarjes tha se të gjitha zbulimet e saj ishin të lidhura me Iranin.
Hetimi i TIMS është paraprirë nga akuza dhe përplasje të ndërsjellëta mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa deputetë demokratë kanë paralajmëruar se të dhënat që do të zbulohet nga Komisioni, do të zbardhin shumë nga lidhjet e ministrave apo zyrtarëve socialistë me elementë të krimit./ZËRI