`
TIRANË-Mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike është shoqëruar me debate të forta, ku në qendër të diskutimeve ka qenë kandidimi i Flamur Nokës për një mandat të dytë në postin e Sekretarit të Përgjithshëm.
Tensionet nisën pas paraqitjes së një rezolute nga anëtarët e Këshillit Kombëtar, Ilirjana Kuçana dhe Lisandër Hoxha. Nëpërmjet kësaj nisme, ata synonin të kundërshtonin rikandidimin e Nokës për postin e numrit dy të Partisë Demokratike.
Pas ndërprerjes së transmetimit të drejtpërdrejtë të mbledhjes, debati ka vijuar me tone të ashpra. Gjatë diskutimeve, Kuçana dhe Hoxha kanë kundërshtuar mënyrën e zhvillimit të procesit, duke iu drejtuar kryetarit të PD-së, Sali Berisha, me fjalët: "Ne nuk jemi kartona, ti ke vendosur për Mulin."
Pavarësisht përplasjes, gara për postin e Sekretarit të Përgjithshëm ka vijuar e hapur. Flamur Noka kandidon përballë deputetit Saimir Korreshi, ndërsa, sipas burimeve, Noka mbetet favoriti për të siguruar një tjetër mandat në këtë detyrë./ZËRI