TIRANË-Puna e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore do të vijojë përtej afatit të parashikuar fillestar. Dy bashkëkryetarët e komisionit, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi, kanë depozituar zyrtarisht kërkesën për zgjatjen e mandatit të tij deri në 30 nëntor 2026. Komisioni i Reformës Zgjedhore u ngrit në tetorin e vitit të kaluar më mandat 9 mujor.
Kërkesa i është dorëzuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, si dhe Konferencës së Kryetarëve dhe pritet të votohet në Kuvend. Në argumentimin e tyre, bashkëkryetarët theksojnë se shtyrja e afatit është e nevojshme për t'u dhënë më shumë kohë forcave politike të arrijnë një konsensus mbi çështjet kryesore të Reformës Zgjedhore. Sipas tyre, dakordësia politike duhet të paraprijë hartimin teknik të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.
Zgjatja e mandatit ishte paralajmëruar edhe më herët nga përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës, por vendimi shton pikëpyetjet mbi afatet për miratimin e ndryshimeve dhe zbatimin e tyre përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2027.
Pak ditë më parë, bashkëkryetari socialist i komisionit, Damian Gjiknuri, deklaroi në Kuvend se koha në dispozicion mund të mos mjaftojë për hartimin dhe miratimin e një Kodi të ri Zgjedhor. Kjo lë të hapur mundësinë që zgjedhjet parlamentare të vitit 2027 të zhvillohen mbi bazën e legjislacionit aktual.