
TIRANË- Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar ashpër ndaj sherrit që ndodhi sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës, ku një përkrahës i Fredi Belerit pështyu në fytyrë Vangjel Tavo ndërsa të tjerë lëshuan akuza dhe fyerje në drejtim të tij. Përmes një postimi në rrjete sociale, Braçe shprehet se Tavo nuk ishte i pranishëm në mbledhje si një qytetar i zakonshëm, por prefekt i qarkut të Vlorës. Ai gjithashtu bëri thirrje që t’i dihet për zot shtetit shqiptar, duke nënvizuar faktin se Himara është bashki shqiptare.
"Vangjel Tavo nuk ishte një qytetar i zakonshëm në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës. Vangjel Tavo ishte atje si prefekti i qarkut të Vlorës, nën juridiksionin e të cilit është edhe Bashkia shqiptare e Himarës. Pra ishte atje si përfaqësues i Shtetit shqiptar. Tani, ky akti i këtij pisit që duket në video që pështyn, sulmon, ofendon, fyen, zyrtarin e Shtetit shqiptar duhet të marrë një përgjigje të qartë dhe të merituar, siç ligji parashikon. Agjensitë ligjzbatuese të këtij shteti ose t'i dalin për zot Shtetit shqiptar dhe zyrtarëve të shtetit Shqiptar, ose ta lëshojnë atë territor si territor të këtyre horrave, pisave, të cilët duket sikur kanë fituar imunitetin se i mbron Greqia. Kjo gjë duhet të marrë fund. Duhet të marrë fund me çdo horr që cenon, shtetin shqiptar, simbolet e shtetit shqiptar dhe zyrtarët e shtetit shqiptar. Kaq e thjeshtë është", shprehet Braçe.
Në videon e siguruar nga ZËRI, Prefekti i Vlorës teksa del jashtë mbledhjes bashkë me Blendi Klosin pështyhet në fytyrë nga një qytetar me kapele duke i thënë edhe disa fjalë greqisht, të cilat janë të paqarta.
Pas arrestimit dhe dorëheqjes së Jorgo Goros nga posti kryebashkiakut në detyrë të Himarës, posti ka mbetur vakant. Po ashtu, edhe i zgjedhuri nga votimet e fundit lokale, Fredi Beleri është dënuar, ndaj në kushte të tilla Këshilli Bashkiak u mblodh për të zgjedhur pasardhësin e tyre, i cili do të jetë një nga 2 nënkryetarët, Blerina Bala dhe Pervan Gjikuria./ZËRI