
TIRANË- Prej paradites së sotme, në një seancë maratonë që pritet të zgjasë deri në mesnatë, në Kuvendin e Shqipërisë janë duke u diskutuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor që më së shumti janë kthyer në një ‘mollë sherri’ brenda vetë opozitës. Hapja e pjesshme e listave, por edhe mungesa e një reforme të thellë, dhe moszbatimi i rekomandimeve të OSBE-ODHIR ka bërë që në radhët e opozitës, e cila prej kohësh është e ndarë në fraksione, të ketë përplasje në seancën e sotme, por edhe akuza për pazar.
Për socialistët mbrojtjen e ka bërë Damianj Gjiknuri, i cili mund të konsiderohet pa frikë një ekspert i Zgjedhores, që ka bërë vit pas viti që socialistët të marrin gjithçka kanë dashur nga Reformat, e përkthyer më pas në rezultate të favorshme për kampin e majtë. Zërat kundër, përveç Lulzim Bashës erdhën dhe nga deputetë që më herët kanë qenë pranë grupit të Berishës, si Asllan Dogjani, Bujar Leskaj Dash Sula, apo aleatët e partive të vogla Fatmir Mediu dhe Dashamir Shehi.
Pretendimeve të një grupi të opozitës, Gjiknuri iu përgjigj duke thënë se problemin duhet ta gjenin në mesin e tyre, dhe jo te socialistët, dhe se në objektivën e tij, opozita i ka të gjitha kushtet që të futet në garë dhe të pretendojë madje fitoren një zgjedhjen e ardhshme.
"Gaboheni rëndë. U munduam për të realizuar një reformë gjithëpërfshirëse, ku shumë prej jush ishit pjesë madje me të drejta të plota në tryezë por nuk sollët asgjë konkrete, vetëm propozime që forconin pozitën tuaj politike, ose mbijetesë ose në kurriz të grupimeve të ndryshme politike që përfaqësoni në opozitë. Kjo është puna juaj e ne nuk bëhemi palë, por ne ofrojmë si maxhorancë gatishmërinë për kompromis politik në të mirë të Shqipërisë e mbështetje që zgjedhjet e radhës të jenë më të mira” tha Gjiknuri.
QËNDRIMET KUNDËR
FATMIR MEDIU- Do diskutoj një çështjen që është jashtëzakonisht e rëndësishme! Do të ishte e padrejtë, jo transparente që për shkak të pazareve apo marrëdhënieve tërësisht okulte, sot të kalojë pa asnjë lloj debati, ose debat sipërfaqësore ndryshime të Kodit Zgjedhor që shqiptarët kanë pritur shumë më tjetër, shumë më ndryshe që të paktën ky Kuvend mblidhet për herë të parë të arsyetojë se si duhet të garantojë të drejtat e shqiptarëve për të votuar. Do të ishte absurde që ne të nxitojmë për të bërë ndryshime që nuk kanë të bëjnë aspak me zgjedhjet, aspak me lirinë e votës, por me disa marrëdhënie që nuk do të ndryshojnë rrjedhën e ngjarjeve për 2025.
Pas një pune të një komisioni të ngritur tërësisht jofunksional dhe pa asnjë marrëdhënie e cila nuk ka asnjë lloj transparence, është në interes të Kuvendit e shqiptarëve të dijë se çdo të bëhet me zgjedhjet. Nëse shkojmë në ndryshime preferenciale kjo do të dëmtojë procesin zgjedhore dhe nuk do t’i shërbejnë zgjedhjeve të lira. Ky Kuvend nuk punon thjesht për ata që janë të punësuar këtu, por për interesat e shqiptarëve. Të shtyhet diskutimi i ndryshmeve në Kodin Zgjedhor sepse është i padrejtë.
BUJAR LESKAJ- Kodi zgjedhor në fuqi i hartuar nga Rama me moslejimin e koalicioneve është në dëm të opozitës nëse ne votojmë këtë kod ne certifikojmë ndryshimet e paligjshme që u bënë në dëm të opozitës. Nëse e votojmë këtë ne shërbejmë si noterë Ramës. Sistemi me lista të mbyllura u vendos se krijon stabilitet dhe nuk lejohej që të futen persona me precedent penal në lista si kandidatë, por kjo u rrëzua pasi Rama futi në Kuvend persona me precedent penal. PD nuk duhet të shndërrohet në kënetë për të pranuar kode zgjedhore që dëmtojnë opozitën.
ASLLAN DOGJANI- Ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë të mirëpritura nga ne, por kur sheh ndryshime 1/3 të mbyllura dhe 2/3 të hapura shumëzohen me zero dhe s’kanë vlerë, sepse emigrantëve nuk u jepet mundësi që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Ata me lista të mbyllura i emëron partia. Nëpërmjet këtyre ndryshimeve Rama ka qëllim të kontrollojë deputetët e tij, ti ketë vetëm për të ngritur dorën sa herë ai do, pa menduar për qytetarët shqiptar, duke marr peng Shqipërinë. Këto ndryshime nuk do të motivojnë kandidatët që të angazhohen në fushatë. Kandidatët në listat e mbyllura mund të vendosen në bazë të lidhjeve farefisnore dhe jo në bazë të meritës, eliminohet gara dhe konkurrenca.
DASHNOR SULA- Jam i lumtur që marr pjesë në këtë ceremoni martesore mes PS dhe PD, por më vjen keq që na mungon kryeministri dhe një pjesë e ministrave. Ty zoti Gjiknuri, që the se nuk kishe me kë negocioje, të jap të drejtë, se njëherë bashkëpunove me njërin dhe me tjetrin. Jam njeriu më i lumtur nëse këtë sallë do të kishte 100 deputete gra. Në këtë sallë, jemi unë dhe zoti Balla, që mbajmë mend marrëveshjen e vitit 2008, e kam thënë atëherë dhe e them dhe tani, që ajo marrëveshje ka qenë e turpshme. Dinjitetin nuk e kam çuar përtokë, nënshkruan një marrëveshje as 40 ditë pas tragjedisë së Gërdecit.
Premtuan se nuk do të vinin në parlament të fortët dhe kriminelët, ndërkohë që erdhën dhe vrasësit me pagesë. Ky është sërish morali në vitin 2024? Do kesh dhe nga ato që janë burra, por do kthehen në gra në 2025, ti gëzosh! Kam një pyetje nëse na ndjek zoti Rama, çfarë ilaçi i ke dhënë opozitës, çfarë vaksine i ke bërë, të gjithë demokratët kishin shpresë që ne të vinim në pushtet në vitin 2025. Zoti kryeministër të lutem, të përgjërohem, mos dil fare në zgjedhje vitin e ardhshëm, se i ke të fituara, të paktën të mos fitosh shumicën e cilësuar.
DASHAMIR SHEHI- Nuk ishte as formë, jo Reformë. Ata që deri dje me flakadanë bënë një betejë të madhe që s’u kuptua për çfarë u bë, si duket u bë për këto marrëveshje që janë këtu, tani janë bërë shumë të qetë, të arsyeshëm për kushtetutën, shqiptarët, fjalët bosh. Ky sistemi zgjedhor prodhon zgjedhje të këqija, korrupsion, ky sistem i ndërtuar në vitin 2008. Ti më mbron mua, unë të mbroj tu, mbrojmë interesat e përbashkët politike. Ky sistem e korrupton pushtetin, i uli vlerën Kuvendit, e bëri shërbëtor të qeverisë. E bëri kryeministrin kancelar të vendit. Ai shumë i keq ishte, ky që bëhet sot është edhe më i keq. nëse ai në 2008 ishte hipotetik, ky pas 165-16 viteve dihet se çfarë ka riprodhuar. E para, i kemi mbyll derën rinisë për tu marrë me politikë, partitë e veta, alternativën e vet. Me këtë sistem është vënë me ligj një barazh elektoral për t’i përzënë nga beteja elektorale.
Çfarë bën ky sistem sot, në Gjirokastër duhen 30% e votave për tu fut deputet, në Durrës, Fier, duhen 10% e votave. E dyta i ke heq shqiptarëve të drejtën për të zgjedh deputetin. E treta po me ligj votat i numëron t’i të atyre që janë rivalët e tu, të dy partive të mëdha. Kjo është një sajesë e përdorur nga dy njerëz për të ruajtur pushtetin. Ky që e ka marrë nuk ka ndërmend më ta lëshojë. Po i drejtohem kolegëve opozitar, po ju ca po mbroni, se këta mbrojnë pushtetin e vet. Ju ca mbroni, përveç një mandati. Një sistem që pala tjetër projekton fitoren. Për një listë gjynahqarësh. Ca vlere ka kjo për ne të opozitës, ca avantazhi i shton ky ligj opozitës. Ky është vendi i kanarinave, kanarinat i zgjedhin në kafaz, nuk fluturojnë, se në kafaz është ngrohtë pi ujë dhe hanë fara. Kush e mban veten për trim, bën mirë të mos bëjë trimëri të kota, e mos ta votojë këtë ligj, turpi është i opozitës, i joni ka për të mbet. Votojmë një ligj për të shpëtuar disa burokratë partie nuk e votoj këtë ligj, shih vetëm dy gjëra pozitive, vota e emigrantëve. Mos e bëni këtë turp për opozitën, por të jemi edhe në bashkëfajtor në këtë ligj të tillë, kjo s’do më pëlqente.
FLUTURA AÇKA- Thoni se gjasme 18 mijë shqiptarë që jetojnë jashtë do të votojnë, kjo është vetëm një mbërtheckë. Po i bëni minim demokracisë. Nuk na duhet një kod i arnuar, na duhet një kod total që të mos kemi më probleme dhe të mos e bëjmë çdo 4 vite. Ky sot do të quhet kodi i turpit. Më vjen keq që kjo opozitë, këtij kryeministri që e ka shpërfillur, po i jep mandatit e katërt. Opozita me ju t’i përulet kësulës së kryeministrit dhe të çirret nëpër ekrane sikur po mendon për shqiptarët. S’kam keqardhje që sot do të votoni kundër meje, por mos harroni që i jepni shembull atyre që duan të hyjnë në parlament, ju u thoni se ky parlament është strofulla e njerëzve që mendojnë vetëm për pushtetin e vet. Populli ju dënoftë për këtë kod të shëmtuar që po votoni sot.
ENKELEJD ALIBEAJ- Do mbahet mend kjo seanca e sotme. Sot është momenti të thuhet e vërteta. Këta deputetë sot janë në konflikt interesi, po përcaktojnë karrigen e deputetëve për zgjedhjet e 2025. Secili nëse ka pak moral, duhet të largojë duart nga interesi vetë.
I është dhuruar Ramës mandati i katërt qeverisës. Edi Rama, që me votimin që do të bëhet sot, merr qeverisjen e katërt. Sot nuk ka më opozitë, është arritur bashkëqeverisja, dhe përsa kohë është ndarë pazari, e vetmja gjë mbetet ku do jem si deputet nesër. Po e bëj ndryshimin që të strukem te listat e fiskuara. Shqiptarët nuk kanë pse i votojnë se e kanë të sigurt, vetëm 40 do të quhen deputetë të shqiptarëve.
Sot ka rënë parlamenti i shqiptarëve, është parlamenti i deputetëve që mendojnë për karrierën e tyre. Si ka mundësi i jepet mandati i katërt atij që nuk vjen. Frika e vetme që kanë është SPAK, kjo i bashkon. Dhe tani plani i radhës është si t’i biem SPAK-ut. Damian, erdhe kërkove pazar, nuk e gjete. Jo vetëm po ricikloni tranzicioni 34-vjeçar, por po sillni edhe njëherë shkaktarët e skamjes, varfërisë, problemeve.
Duan të burgosin votën e 70% të shqiptarëve që nuk i duan, që janë aleatë të SPAK. Për një pisllëk të madh, ka një pisllëk akoma më të madh. Por, ka gjithmonë mundësi për të bërë lista të hapura. Kushdo që do të krijojë formacione të reja, e ka mundësinë të përballet me listat të hapura. Do të jetë lista e 34-vjeçarit të huaj dhe lista e qytetarëve në zgjedhjet e 2025. Bëni çfarëdo lloj makinacioni, nuk do t’ia dilni dot.
LULZIM BASHA- Në fund të verës dhe në fund të dimrit bëhen pazaret në kurrizin tuaj. I tillë ishte dhe pazari i mbrëmshëm me votat e përbashkëta të dy palëve që janë një parti. Së pari dua ta them qartë se sot se me vendim të Gjykatës Kushtetuese lista janë 100% të hapura, pazari i mbrëmshëm që pret vulën e sotme është mbyllja e këtyre listave. Jo thjesht rimbyllja sipas paktit të 2008, por kyçja e këtyre listave. Me sistemin e kaluar të 2021, ndonëse opozita insistoi për lista 100% të hapura, u votua për lista gjysmë të hapura, dikush që thyente herësin mund të zgjidheshin. E kanë ndarë listën dy klasa, biznes class për veten e tyre dhe karrocë për të tjerët. Në biznes class futen kandidatë që i vendos kryetari i partisë, nuk votohen. Nëse një kandidat të lista e hapur votohet dhe merr 20 mijë vota, 100 mijë vota, por lista e partisë së tij nuk arrin dot përtej listës së mbyllur, mbetet jashtë dhe në kuvend futen kamikazët e kryetarit. Është listë dopio e kyçur.
Vijmë të motivet që i bëjnë këto dy palë 1 parti. Nuk janë paratë, janë provat siç tha një parafolëse, provat që u duhen kryetarëve të këtij teatri për një motiv edhe mbi të, frika në radhë të parë e kryeministrit, në momentin që flasim ka disa çështje të hapura në hetim penal, bota e di përfshirjen e ti me zë e figurë te aferat e inceneratorëve te korruptimi i McGonigal, te përfshirja e tij në koncesione të tjera korruptive që po hetohen. I duhen kamikazë si Erion Veliaj. Kamikazë të tillë i duhen Ramës në Kuvend, ndaj e mbyll listën për të caktuar kamikazët. Pala tjetër i është nënshtruar tekave të një njeri që hallin e vet personal e vëri hallin e opozitës, që për hallin e tij personal bëri pazarin me Edi Ramën. I dorëzoi 90% të bashkive Ramës, u kap Safeti e humbi edhe më thellë Kukësin.
Pazari që vazhdoi me votën për të liruar të korruptuarit. Shkuan në burg të korruptuarit e Ramës, por u liruan jo vetëm me votat e Ramës por edhe me votat e tyre. Gënjyen derisa nga kjo foltore Dumani dha numrin, 117 të korruptuar të Ramës për liruar nga votat e pazarit, vazhdoi me presionin ndaj Apelit, me vendimin paçavure që e ka parë e gjithë Shqipëria, ndaj të cilit i është bërë rekursi. Dhe sot mbyllet për këtë sezon me pazarin për listat e mbyllura.
Frika e Ramës dhe Berishës i bën ndërton të ndërtojnë njerëz skalione njerëzish të bindur. Këto pazare të yshtura nga frika kanë thelb, shitjen pa filluar të ndeshjes, të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025. Me formulën e dakordësuar dje dhe do votohet sot, pushteti i dorëzohet edhe për 4 vite Ramës, në këmbim të favoreve të përbashkëta, në këmbim të goditjes së pandëshkueshmërisë, të SPAK. Akti i fundit i këtij pazari do luhet në sesionin e fundit të kësaj legjislature me këtë kundër SPAK, si garancia që lidh Berishën dhe Ramën. Ky nuk është akti i fundit për shqiptarët, nuk është momenti i triumfit të së keqes. Është momenti i keq por triumfi do ti takojë shqiptarëve.
JORIDA TABAKU- Sot nuk kemi një reformë zgjedhore, sot jemi duke miratuar dhe ka mbajtur shënim disa ndryshime të cilat na janë diktuar nga Gjykata Kushtetuese. Pra sot po miratojmë minimumin e mundshëm dhe në fakt ishte një mendim i mirë që të ndahej në dy faza reforma zgjedhore: ajo që kërkoi nga Gjykata Kushtetuese dhe ajo që duhej bërë.
Ashtu siç zoti Gjiknuri e tha qartë; Sot nuk kemi një reformë zgjedhore, sot jemi duke miratuar dhe ka mbajtur shënim disa ndryshime të cilat na janë diktuar nga Gjykata Kushtetuese. Pra sot po miratojmë minimumin e mundshëm dhe në fakt ishte një mendim i mirë që të ndahej në dy faza reforma zgjedhore: ajo që kërkoi nga Gjykata Kushtetuese dhe ajo që duhej bërë.
Ajo që duhej bërë, sot nuk është bërë. dhe ky dështim, që fat fatkeqësisht është në seancën e fundit të Parlamentit për një amendim të thelluar të Kodit dhe të kuadrit ligjor për zgjedhjet, në shkelje edhe të angazhimeve të marra nga mazhoranca. Në qershor të vitit dy mijë e njëzet, për mua është një dështimi i këtij parlamenti që po e mbyll këtë session fatkeqësisht, duke diskutuar si gjithmonë Kodin Zgjedhor ditën e fundit të sesionit, me një votim natën, ku qytetarët shqiptarë nuk është se do të marrin vesh shumë çfarë ndodh.
AGRON SHEHAJ- Ndryshimi i Kodit Zgjedhor për të mbajtur listat e mbyllura është skandaloz, hipokrit dhe sidomos kundër vullnetit të qytetarëve. Deputet jane zgjedhur me votën e qytetarëve dhe jane te detyruar të respektojne vullnetin e qytetarëve. Ju e dini shumë mirë, të gjithë këtu e dinë shumë mirë, që qytetarët shqiptarë duan të votojnë partinë politike por dhe kandidatin. Pavarësisht kësaj, sot ky parlament do votojë për lista të mbyllura.
Por kjo është edhe një hipokrizi njëkohësisht, sepse nuk kam dëgjuar asnjë nga deputetët e këtij Kuvendi, që sot do votojë për listat e mbyllura, të thotë që është në favor të listave të mbyllura. Nuk ka dyshim që demokracia në Shqipëri ka ngecur dhe jo se listat jane te hapura apo te mbyllura.
Nuk mund të quhet demokraci një vend ku maxhoranca fiton 90 % të bashkive. Nuk mund të quhet demokraci një vend ku qeveria me e korruptuar pavarësisht skandaleve, konsolidon pushtetin politik vit pas viti. Nuk mund të quhet demokraci një vend ku qeveria me pothuaj te gjithe ministrat në burg, zv kryeministri në arrati, me të gjitha tenderat dhe koncensionet nën hetim për korrupsion nga SPAK-u, dhe prap qytetarët mendojnë që rrotacioni është pothuajse i pamundur.
KRESHNIK ÇOLLAKU- Bravo Damian e bërë tërmet prap. E kemi të kotë që bëjmë replikë me këta, nuk e kemi me këta. E kemi me veten. Ditë për të korrur çkemi mbjellë. Këta luajtën një lojë mjeshtërore. Damianit duhet ti ndërtoni një monument me mjeshtërinë për të cilën ndërtoi këtë operacion për mandatin e katërt. Ndodhi se opozita nga i pari tek i fundi, në vend që të bënim një betejë të shenjtë që do siguronte rotacionin, për të pranuar koalicion parazgjedhor. U morëm me sherret tona. Damiani luajti në mënyrë gjeniale, kur ne grindeshim se kush do drejtojë komisionin, Enkelejdi apo Oerdi. I thoshte Oerdit do e ulni pazarin se i kam gati votat.
Më besoni, ju dëgjoj që flitini për listat e hapura. Këtu do jeni 140 deputetët të emëruar. Dështimi i madh është që ne nuk arritëm ti marrim mazhorancës të organizojmë çdo zë opozitar në koalicion parazgjedhor. Kemi PD djathtas, PL majtas, kemi elektorat gri. E vetmja mundësi që çdo zë të organizohej do ishte koalicioni parazgjehdor. Nuk e bëmë për mosmarrëveshjet tona dhe për vullnetin e ktyre. Edi Rama e di duke dhënë koalicionin parazgjedhor, atë primin e deklaruar ta vidhte në mënyrë të padeklaruar.
Me 12 qarqe në mënyrë automatike humbim minimumi 1 mandat. E humbim, na ikën nga dora dhe këta e marrin. Kam respekt për Oerdin dhe besoj se e ka pasur të pamundur ta marrësh. Por çfarë kërkoj është si ka mundësi që të gjithë shprehemi kundër këtij kodi zgjedhor dhe si mund të mendojmë të japim votën pro. Këta nuk i kanë votat të bëjnë ndryshimet në kod, mungojnë pak vota por janë vota opozite. E ndërsa duhet të bashkohemi, sot më shumë se kurrë duhet të bashkohemi. A mund të bashkohemi bashkë dhe të votojmë kundër ndryshimeve dhe këta nuk mund ti votojnë. Ne e meritojmë për shkak të paaftësisë sonë për të gjetur një zë të përbashkët.
Ndërkohë që nga radhët e socialistëve, edhe pse ka pasur disa zëra që kërkonin sistem mazhoritar si Erion Braçe, apo lista plotësisht të hapura si Jurgis Çyrbja, votat pritet që të jenë të gjitha në një linjë, pro ndryshimeve të miratura në grupin e dialogut. Vetë kryeministri Edi Rama nuk është i pranishëm në seancën e sotme, për shkak se ndodhet në Francë, ku po merr pjesë në ceremoninë e hapjes së lojërave olimpike. /ZËRI