
FRANCË-'Lojërat e hapura' është motoja e Lojërave Olimpike të Parisit të këtij viti, të cilat zyrtarisht fillojnë sot me ceremoninë e hapjes. Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama, u pritën sot në një ceremoni zyrtare nga presidenti i Francës, Emanuel Macron dhe bashkëshortja Brigitte Macron. Pamjet janë shpërndarë nga vetë kreu i qeverisë në rrjetin e tij social 'Facebook'.
Rreth 120 krerë shtetesh, mbretër dhe liderë të tjerë do të ndjekin ceremoninë. Për herë të parë në histori, ky spektakël mbahet jashtë një stadiumi, me një paradë në qiell të hapur të 160 varkave në Lumin e Senës. Nga këto, 94 varka do të mbajnë atletët dhe do të lundrojnë 6 kilometra nga Lindja drejt Perëndimit, në zemër të Parisit.
Në Lojrat Olimpike do të ketë një spektakël artistik, ku pritet të marrin pjesë Lady Gaga dhe Celine Dion, që është një këngëtare kanadeze franceze, dhe besohet se do të interpretojnë një version të një kënge të njohur të Edith Piaf, “La vie en rose”, në shqip “Jeta në ngjyrë trëndafili”. Fshati Olimpik, ndërkaq, do të mbajë 10 714 sportistë të ndarë në 32 sporte dhe 329 gara gjithsej, ndërsa në Olimpiadë marrin pjesë 206 shtete./ZËRI