Politikë

'Sterilizimi'/ DITA 2- Vazhdon marrja në pyetje, ish-drejtoresha e spitalit Durrës: Ishim entuziastë!

E para që dha dëshminë e saj para deputetëve ishte Nadire Jani, ish-drejtoreshë e spitalit të Durrësit, e cila ashtu si të tjerë u mor në pyetje kryesisht lidhur me koncensionin e sterilizimit.

k.m.
'Sterilizimi'/ DITA 2- Vazhdon marrja në pyetje, ish-drejtoresha
Pamje nga mbledhja

TIRANË- Dita e dytë e dëshmive në Komisionin Hetimor për koncensionet në Shëndetësi për sterilizimin dhe check-up.E para që dha dëshminë e saj para deputetëve ishte Nadire Jani, ish-drejtoreshë e spitalit të Durrësit, e cila ashtu si të tjerë u mor në pyetje kryesisht lidhur me koncensionin e sterilizimit. Në nisje të dëshmisë së saj, ajo u shpreh se pasi kishte marrë vesh se do të kishte një kontratë të nënshkruar për sterilizimin isht e "ngazëllyer profesionalisht", duke ndarë edhe bisedat që ajo kishte pasur me koleget e saj.

'Sterilizimi'/ DITA 2- Vazhdon marrja në pyetje, ish-drejtoresha
Nadire Jani

"Kam parë koleget e mia kirurge, që kanë janë çarë me bisturi dhe prisnin me kohë të gjata me ankth përgjigjet e analizave të shqetësuara se mos infektuar me hepatit, HIV AIDS, apo ndonjë sëmundje tjetër. Ishim entuziastë, entuziastë nga ana profesionale po flas. Ka pasur probleme të vogla, të cilat i kemi raportuar,"-tha ajo në nisje të deklaratës së saj.

Më pas, ndër të tjera është shprehur se provlemet nuk kanë qenë madhore, edhe pse fillimisht mungonin setet e vogla, por pas ankesave i kanë siguruar. E pyetur nga kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi lidhur me faturat e energjisë që ishin të papaguara nga koncensionari, Jani tregoi se nuk kishte marrë përgjigje nga ministria edhe pse ishte ankuar. 

PJESË NGA MARRJA NË PYETJE:

Jani: Në fillim kanë munguar setet/paketat e vogla. Me insistimin e drejtuesit, më vonë kanë ardhur ato që kemi kërkuar. Nuk është fushë me lule, po nuk është problematikë kush e di se çfarë. Fillimet janë gjithmonë të vështirë. Personeli nuk ishte plotësisht i trajnuar për këtë pjesë. Këto duhet të jenë të kuptueshme. Por anë negative dhe problematika madhore, nuk ka pasur. SaniServis nuk pagoi qira për ambientet, as për ujin dhe dritat. I pagoi Ministria e Shëndetësisë.

Vokshi: Ju jeni ankuar për mos pagesë qeraje dhe mos pagesë energjie elektrike. Keni bërë llogaritë. Pas refuzimit të operatorit, keni thënë, për të vënë matës të energjisë elektrike, keni bërë matje, e shpenzimi 550 mijë lekë në muaj vetëm për energji në spital 52 milionë lekë të vjetra, të matura vetëm në një periudhë nga ju. Jeni ankuar në ministri se nuk kishit buxhet për të paguar këto fatura.

Jani: Fondi na tha vijoni kontratën ndërsa ministria nuk na ktheu përgjigje fare për këtë çështje.

'Sterilizimi'/ DITA 2- Vazhdon marrja në pyetje, ish-drejtoresha
Arben Zeneli

Pas saj, në sallë për të dëshmuar u fut ish-drejtori i spitalit të Traumës, Arben Zeneli. Edhe mjeku u shpreh se koncensioni kishte pasur një efekt pozitiv në punën e bluzave të bardha. 

"Kur hapën më shumë se një set, nuk përfshihen të gjithë në pagesë, por seti më i shtrenjtë. Por në dijeninë time nuk ka ndodhur shpesh, ndoshta kirurgët tanë janë më të aftë,"-u shpreh mjeku në fjalën e tij.

I treti që dha dëshminë e tij ishte drejtori i Maternitetit “Koço Gliozheni”, Genci Hyska.

'Sterilizimi'/ DITA 2- Vazhdon marrja në pyetje, ish-drejtoresha
Genci Hyska

"Për jashtëoperatore kemi procedura të tjera, nuk kanë nevojë që të futen në sterilizim. Lindja normale bëhej edhe në shtëpi më përpara dhe sterilizimi bëhej edhe me ujë të ngrohtë. Kështu që nuk ka nevojë për sterilizim për ndonjë gjë të madhe. Për këto gjëra përdorim autoklava të vogla, nuk shfrytëzonim sterilizimin por këto tonat. Nuk mund të përdorësh për lindje normale gjëra që nuk janë të nevojshme. Pse nuk i kemi hequr autoklavat? Që të bësh nxjerrjen jashtë përdorimit të një pajisje, bëhet me dokumentacion. Nuk e nxjerr dot për skrap një pajisje të vetme, sepse nuk ka asnjë firmë që të të futet për 500 kg. Prandaj praktika e punës është e tillë që grumbullohet një sasi e caktuar, pastaj...Derisa të grumbullojmë, jemi të detyruar ta mbajmë. Na ka dështuar sepse nuk futen. Jemi të detyruar që ta mbajmë aty sepse e kam përgjegjësi,"-tha ai.

Dje në Komision dëshmoi Enkelejd Joti, Albana Fico dhe drejtuesja aktuale e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Teresa", Alma Cani.

Ngritja e Komisionit Hetimor të Kuvendit për Sterilizimin dhe Check-Up në shëndetësi u arrit pas një marrëveshjeje të arritur nga Partia Socialiste me atë demokratike. Por të dyja këto koncensione janë nën hetim nga SPAK. I pari, ai i Sterilizimit, ka sjellë deri më tani arrestimin dhe ngritjen e akuzave ndaj ish-zëvendësministrit të Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj. Nën hetim ishin edhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja. Ky i fundit, ka përfunduar në pranga pasi ishte nën hetim për 1 vit. Beqaj është i dyshuar për shpërdorim detyre lidhur me 2 tendera të firmosura, për sterilizimin dhe check up.

Këto 2 çështje janë duke u hetuar nga 3 prokurorë. Koncensionin e sterilizimit po e hetojnë prokurorët Edvin Kondilli dhe Ened Nakuçi, ndërsa atë të 'check up' po e heton prokurorja Elida Kaçkini. Më 18 mars SPAK njoftoi mbylljen e hetimeve, ndërsa iu komunikoi akuzat 8 personave të tjerë të përfshirë në dosjen. Këto koncensione në Shëndetësi kanë ngritur pikëpyetje për korrupsion dhe abuzime. Madje dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ngritur vazhdimisht pikëpyetje duke i konsideruar ato si një përdorim “joefikas” i fondeve publike. Po ashtu, edhe opozita ka ngritur herë pas herë akuza se koncensionet kanë qenë abuzim i pastër me paratë e buxhetit të shtetit./ZËRI

Poll

MOS HUMB