Politikë

SPAK mbylli hetimet për të dhe Malltezin, Berisha: Piramidë mashtrimi fund e krye, vepra më e shëmtuar e narkoshtetit

Hetimet për dosjen Partizani kanë nisur në vitin 2020, dhe në aktakuzën e SPAK, dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai e akuzojnë Berishën për veprën penale të korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim

E.K
SPAK mbylli hetimet për të dhe Malltezin, Berisha: Piramidë
sali berisha

TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha, në një konferencë për mediat, ka folur në lidhje me mbylljen e hetimeve nga SPAK, për privatizimin e ish-kompleksit Partizani, ku është marrë i pandehur së bashku me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi. Berisha tha se procesi ndaj tij është një piramidë mashtrimi, dhe falsifikimi dokumentesh e provash. Sipas Berishës, procesi ndaj tij ka qenë i nxitur politikisht, edhe nga diplomatë që i quajti të korruptuar si Gabriel Escobar dhe Yuri Kim.

Fjala e plotë e Berishës

Një përshëndetje në distancë gazetarëve të pranishëm në sallë dhe një përshëndetje të përzemërt mbarë qytetarëve shqiptarë që ndjekin këtë konferencë shtypi, në të cilën unë informoj qytetarët shqiptarë se sot, Edi Rama, kreu i narkoshtetit shqiptar, Altini i pyetjes 1 milion euro dhe tre apartamenteve sipas tij si rrogëtar shteti, ish-xhelati i policisë sekrete shqiptare me vila dhe ndërtime, Kraja, ndrikulla e bandave të rrezikshme, simotra biologjike e Taulant Ballës, Mellonai, dorëzuan avoketërve të mi në mënyrë përfundimtare dosjen për klubin Partizani me akuzën për korrupsion pasiv për Sali Berishën dhe të njëjtën, shtuar dhe larje parash për dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi.

Ky akt i paprecedent, i bazuar në një piramidë fund e krye mashtrimi, falsifikimi dokumentesh, manipulimi dhe fshehje të dokumenteve zyrtare, do gdhendet në muret e kohës si një nga veprat më të shëmtuara të narkoshtetit në Shqipëri.

Në këtë piramidë, prokurorët politikë të prokurorisë private të Edi Ramës kanë rreshtuar duke i shumëzuar për dy të gjitha mashtrimet e renditura në dokumentin me të cilin ata shpallën nën hetim Sali Berishën dhe Jamarbër Malltezin, dhe vendosën në shkelje të rëndë të Kushtetutës, Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe ligjeve të vendit, arrestin e tij në shtëpi, ndalimin e komunikimit të tij me çdo person tjetër përveç familjarëve të afërt dhe ndalimin e ndjekjes së punimeve të parlamentit si deputet i zgjedhur nga qytetarët, ndonëse pa asnjë masë dënimi siç kërkojnë ligjet për këtë vendim.

Ky proces politik kundër Sali Berishës erdhi pas kërkesës së përsëritur të diplomatëve të korruptuar amerikanë Gabriel Eskobar dhe Juri Kim.

Kësaj të fundit i kisha denoncuar publikisht në mënyrë të përsëritur aktet e saj korruptive.

Pas kërkesës publike të Edi Ramës në asamblenë e partisë së tij në vitin 2022, që Sali Berisha të persekutohej, të ndiqej, të penalizohej.

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi nuk u paraqiten sot në Prokurorinë e Posaçme, për të firmosur për mbylljen e hetimeve, sa i takon çështjes së privatizimit të ish-kompleksit Partizani.

Në vend të tyre në SPAK u paraqitën avokatët mbrojtës, të cilët u njohën me aktet përfundimtare të Prokurorisë së Posaçme, ndërsa dosja pritet që të kalojë për gjykim në Gjykatën e Posaçme. Do të jetë pikërisht kjo e fundit që do të vendosë nëse hetimet e SPAK janë të plota dhe shteruese, dhe do të çojë më tej procesin gjyqësor, apo do të kthejë pas dosjen për elementë shtesë.

Avokatja Klodiana Gjyzari u paraqit në orën 10.00 në Prokurorinë e Posaçme për të firmosur mbylljen e hetimeve të dosjes “Partizani” për kreun e opozitës, Sali Berisha dhe financieren Andia Pustina. Ndërkohë edhe avokati i Jamarbër Malltezit, Klodian Skënderi tërhoqi aktet hetimore./ZËRI 

Poll

MOS HUMB