
TIRANË-Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar në lidhje me planin për krijimin e "Shtetit Bektashi" brenda Tiranës. Berisha shprehet se projekti për shtetin e ri është një thikë e madhe pas shpine ndaj kombit, Kushtetutës dhe besimtarëve shqiptarë. Ai shtoi se ky skenar erdhi nga Beogradi, konkretisht nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç. Sipas Berishës, ky skenar është një sulm jo vetëm ndaj besimeve fetare, ndaj myslimanëve shqiptarë që njëlloj si besimtarët e tjerë i luten një Zoti.
Sali Berisha: Për të mbuluar denoncimet e mëdha në Europë dhe në botë si kreu i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në kontinent. Për të mbuluar serialin e dështimeve të njëpasnjëshme. Për të gjitha këto, ai shpalosi këto ditë propozimin e një shteti të Islamit të moderuar, kryekëput një thikë e tmerrshme pas shpine për besimtarët myslimanë shqiptarë, për të gjithë besimtarët e Zotit. Një thikë e madhe pas shpine ndaj kombit shqiptar. Një thikë e madhe pas shpine ndaj Kushtetutës dhe rendit të saj. Të dashur miq, nga themelimi i shtetit shqiptar gjer sot, ka pasur një parim, një shtyllë kryesore mbi të cilën është ndërtuar: feja dhe shteti janë të ndara dhe të pavarura nga njëri-tjetri. Fetë e shqiptarëve janë ushqimi shpirtëror i tyre. Janë frymëzimi hyjnor dhe shpirtëror i tyre që nuk është e vërtetë që i ka ndarë, por me harmoninë që kanë treguar me njëri tjetrin, janë bërë shembull i ndritshëm në të gjithë botën. Por historia nuk është vetëm kjo. Një barbar, një mizor lau në gjak krerët e besimeve fetare të Shqipërisë. Ndër to, në mënyrën më të egër dhe udhëheqësit shpirtërorë të bektashizmit shqiptar. Ky ishte Enver Hoxha, i cili nuk pranonte që në këtë tokë të kishte një Zot përveç atij, që në fakt ishte satani i shqiptarëve.
Ndaj le t’i themi Edi Ramës se asnjë projekt, ngado që ta marrësh, nga Beogradi apo tjetër kush, kurrë nuk të shpëton ty.
Shqipëria ka qenë dhe do mbetet shteti, vendi i harmonisë së shkëlqyer fetare. Do mbetet shteti laik që respekton besimin e tjetrit. Fetë e shqiptarëve, myslimanët, të krishterët, janë gurra të pashtershme hyjnore që ushqejnë dhe pasurojnë shpirtrat e shqiptarëve, por jo shpirtrat e katranove si Edi Rama, që përdor edhe fetë për qëllime mafioze, për qëllime antishqiptare.
Edhe njëherë, ju përshëndes nga zemra. Le të vazhdojmë ne betejën dhe t’i themi Edi Ramës se vrimë miu nuk do gjesh për këto të zeza që iu bën shqiptarëve. Se nuk ka një të dytë përveç Enver Hoxhës si ti, që prodhoje lajme më të këqija për vendin dhe kombin tënd. Prandaj, miqtë e mi, protesta, revolta, mosbindja civile është thirrja për të shpëtuar kombin shqiptar.
Kryeministri Edi Rama në një intervistë për 'The New York Times' thotë se dëshiron t'u japë anëtarëve të Bektashinjve, enklavën e tyre të stilit të Vatikanit si një mënyrë për të promovuar tolerancën fetare. Rama tha se qëllimi i shtetit të ri ishte të promovonte një version tolerant të Islamit me të cilin krenohet Shqipëria. Kreu i qeverisë shprehet se në të ardhmen e afërt do të shpallë planet për entitetin, që do të quhet Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi. Në një reagim zyrtar, Selia Botërore e Bektashinjve shprehet se ky hap historik synon të njohë Urdhrin Bektashi si një shtet të pavarur, vetëqeverisë, i përkushtuar për të mbështetur traditën e tij shekullore të moderimit dhe përfshirjes shpirtërore. Selia Botërore e Bektashinjve shton gjithashtu se kjo nismë nuk ka të bëjë me vetëvendosjen dhe se nuk kërkojnë që të kenë ndikim apo pushtet politik./ZËRI