
TIRANË- Gjykata e Posaçme do të zhvillojë sot seancën për vlerësimin e masës së sigurisë së kërkuar nga SPAK për ish-kryeministrin Sali Berisha. Seanca për caktimin e masës ndaj Berishës është shtyrë tre herë, ndërsa sot pritet që të nisë në orën 12:00.
SPAK kërkon për Berishën arrest në shtëpi, ruajtjen e tij me punonjës policie dhe ndalimin e komunikimit me persona të tjerë përveç atyre të deklaruar që jetojnë me të në banesë. Kjo masë nga SPAK erdhi pasi më herët, ish-kryeministri nuk zbatoi vendimin e Gjykatës, atë të detyrimit me paraqitje para policisë gjyqësore.
Kujtojmë se seanca e fundit u shty me qëllim që t’ju jepej kohë avokatëve mbrojtës të ish-kryeministrit, që të dorëzonin kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Mirëpo, avokatët e Berishës nuk kanë bërë asnjë kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Gjoka. Vetë GJKKO, përmes një njoftimi për mediat një ditë më parë (29 dhjetor), shprehet se tek sekretari i gjykatës nuk është paraqitur kërkesë me shkrim e avokatëve të Sali Berishës për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka.
Ish-kryeministri Berisha akuzohet si i dyshuar për korrupsion në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani. Nën hetim për këtë dosje është edhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i cili ndodhet në masë sigurie arrest shtëpie./ZËRI