
TIRANË- Gjykata e Posaçme ka shtyrë seancën gjyqësore për liderin e Partisë Demokratike Sali Berisha, me qëllim që t’ju jepet kohë avokatëve mbrojtës, që të dorëzojnë kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Mirëpo, avokatët e Berishës nuk kanë bërë asnjë kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Gjoka. Vetë GJKKO, përmes një njoftimi për mediat, shprehet se tek sekretari i gjykatës nuk është paraqitur kërkesë me shkrim e avokatëve të Sali Berishës për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka.
Njoftimi i GJKKO:
Përshëndetje të nderuar! Në vijim të interesit të shfaqur nga gazetarët Ju bëjmë me dije se deri në orën 16.00, në sekretarin e gjykatës nuk është paraqitur kërkesë me shkrim e avokateve të shtetasit Sali Berisha për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka! Duke Ju falenderuar për bashkëpunimin!
Avokatët e Berishës: GJKKO nuk dha vendimin për rrëzimin e kërkesës sonë të parë
Avokatët e liderit demokrat Sali Berisha nuk kanë depozituar në GJKKO kërkesën me shkrim për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka dhe afati tashmë ka mbaruar. Kështu ka lajmëruar edhe vetë Gjykata e Posaçme. Avokatët shprehen se GJKKO nuk iu ka vënë në dispozicion vendimin e parë, ku gjyqtarja Rudina Palloi rrëzoi kërkesën për përjashtimin e Gjokës. “GJKKO të informojë se cila është arsyeja që deri në orarin zyrtar nuk vuri në dispozicion vendimin e papranueshmerisë së kërkesës për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, sikurse i’u premtua avokateve zyrtarisht dhe verbalisht”, shprehet avokati i Berishës.
Gjykata e Posaçme shtyu të seancën për dhënien e vendimit për kërkesën e SPAK për arrest shtëpie me mbikëqyrje policore dhe ndalim komunikimi, për Berishën, akuzuar për korrupsion në aferën “Partizani”. Seanca e ditës së nesërme pritet të zhvillohet në orën 12:00. /ZËRI/