
TIRANË- Mariglen Qato, ish-drejtori i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë e Tiranës ka reaguar përmes avokatit pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka firmosur urdhër arrestin për të. Nëpërmjet avokatit të tij, Qato i ka mohuar akuzat që ka ngritur SPAK ndaj tij, duke shtuar se çdo veprim që ka marrë e ka bërë në respekt të ligjit. Por edhe shtoi se me arrestimin e tij, SPAK ka provuar se ka rënë pre e presionit të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-kandidatit për kryebashkiak të Tiranës, Belind Këlliçit.
“Unë Mariglen Qato jam i pafajshëm. Nuk kam asnjë lidhje me akuzat dhe nuk kam bërë asnjë veprim të kundraligjshëm. Në ushtrimin tim të detyrës, kam punuar me përkushtim dhe kam zbatuar ne mënyrë rigoroze ligjin. Ndjehem i keqardhur që SPAK ka rënë pre e presionit politik të Ilir Metës dhe Këlliçit që ka nisur këtë sulm politik ndaj meje, pa pasur asnjë fakt real. Mbetem besimplotë që ky proces të mbarojë sa më shpejt dhe drejtësia të bëjë punën e saj. E vërteta e pafajsisë time të dalë në dritë,"-tha Qato.
Me kërkesë të SPAK, GJKKO ka firmosur 9 masa sigurie, mes tyre për ish zyrtarë të bashkisë së Tiranës. Nga 9 masa sigurie, 3 prej tyre janë arrest në burg, ndërsa 6 të tjerat janë detyrim paraqitje. Sipas SPAK për gjatë kohës që kanë ushtruar funksionin e Drejtorit kanë shpallur fitues kompaninë që ai dhe Mariglen Qato ishin ortakët e vërtetë dhe pronarët “de facto” të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k./ZËRI