Politikë

SPAK çoi për gjykim, Bardh Spahia: Akuza qerashake!

Spahia i ka quajtur akuzat ndaj tij qesharake dhe se padia është bërë për ta dëmtuar atë politikisht.

I.F
SPAK çoi për gjykim, Bardh Spahia: Akuza qerashake!
Bardh Spahia dhe Mark Molla

SHKODËR- Ish-kryebashkiaku i Shkodrës Bardh Spahia ka reaguar pas vendimit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila e çoi për gjykim dosjen e tij. Spahia i ka quajtur akuzat ndaj tij qesharake dhe se padia është bërë për ta dëmtuar atë politikisht. Ish-kryebashkiaku shprehet se vendimi për të shkarkuar nga puna administratorin e Ujësjellës Kanalizimeve, Mark Mollën erdhi për shkak të ankesave të shumta të qytetarëve.

"Çështja e SPAK-ut ndaj meje është qesharake: më akuzon se nuk kam kthyer në punë një administrator për të cilin Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandon "Largim nga Detyra".

Faktet pas kësaj akuze, pa asnjë koment janë këto:

1.⁠ ⁠⁠Më 16 Maj 2022, si Kryetar i Bashkisë së Shkodrës mora vendim për shkarkimin nga detyra të administratorit të Shoqërisë së Ujësjellës Kanalizimeve Shkodër—shoqëri tregtare në pronësi të Bashkisë Shkodër. Shkarkimi u bë pas ankesave të shumta nga qytetarët dhe një raporti të Kontrollit të Shtetit që gjente shkelje dhe abuzime në ujësjellës-kanalizime dhe rekomandonte largimin e drejtorit.

2.⁠ ⁠⁠Administratori bëri ankesë në gjykatë dhe gjyqtari nxorri urdhër për pezullimin e vendimit të shkarkimit deri në shqyrtimin e çështjes.

3.⁠ ⁠Unë respektova vendimin e gjykatës dhe prita derisa Gjykata e Apelit dha vendim, e cila prishi vendimin gjykatës së rrethit dhe rrëzoi masën e pezullimit të shkarkimit.

4.⁠ ⁠Pastaj, unë mora vendim për shkarkimin e administratorit.

5.⁠ ⁠Në muajin shtator 2023, Gjykata e Shkodrës e pushoi çështjen dhe ish-administratori as nuk e ankimoi çështjen në Gjykatën e Apelit. Kështu çështja u mbyll.

6.⁠ ⁠Tre vjet më pas, dhe dy vjet pasi kisha lënë detyrën e kryebashkiakut, në korrik 2024, ish-administratori “kujtohet” të më denoncojë në Prokurorinë Shkodër për moszbatim të vendimit të gjykatës. Justifikimi ishte se pasi gjyqtari nxorri urdhërin e pezullimit të vendimit të shkarkimit, unë duhet ta kisha anulluar vendimin dhe ta kthejë në zyrë administratorin deri sa të vendoste gjykata.

7.⁠ ⁠Prokuroria e Shkodrës shpalli mungesë kompetence meqë “krimi” i supozuar ishte bërë nga një kryetar bashkie dhe e dërgoi padinë në SPAK.

8.⁠ ⁠SPAKU u mor menjëherë me këtë padi, duke i dhënë asaj përparësi të madhe. Unë jam thirrur katër herë për t’u  marrë në pyetje për këtë “krim”.

9.⁠ ⁠Nuk mendova kurrë se kjo çështje do arrinte në gjykatë, por sot SPAK e ka çuar për gjykim.

Që ta përsëris me fjalë të thjeshta: SPAK më akuzon se nuk kam mbajtur në detyrë ca muaj një administrator të shkarkuar për të cilin gjykata ka vendosur që është shkarkuar në mënyrë të ligjshme!

Kjo është qesharake: Prokuroria kundër korrupsionit më akuzon se nuk kam mbajtur në punë një njeri i cili sipas KLSH duhej të largohej nga detyra.

Padia ndaj meje është nisur politikisht për të dëmtuar PD-në në Shkodër. Unë do ta fitoj betejën para drejtësisë. Bashkë me qytetarët e Shkodrës do fitojmë më 11 maj edhe betejën politike kundër krimit e korrupsionit që ka pushtuar Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë", tha Spahia.

Spahia akuzohet për kryerjen e veprës penale “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës". SPAK njofton se Spahia ka pushuar nga puna administratorin e Ujësjellës Kanalizimeve, Mark Mollën dhe vendosi drejtor një anëtar të FRPD-së. Ish-drejtori e denoncoi për shkarkim në shkelje të ligjit dhe gjykata e riktheu në detyrë, vendim të cilin Bardh Spahia nuk e zbatoi.

Gjatë paraqitjes së tij në SPAK, Spahia ka pretenduar se ka zbatuar vetëm ligjin duke shtuar se tashmë kjo është një çështje që mund të ndiqet administrativisht./ZËRI

Poll

MOS HUMB