Politikë

Sot Samiti Ballkani Perëndimor- BE në Malin e Zi, Rama në ‘merak’ për motin, Kurti kritika Bosnjes

Samiti është i konceptuar në dy panele, përkatësisht: “Angazhimi dhe planet e së ardhmes”, si dhe “Kontributi për fuqizimin e bashkëpunimit rajonal"

E.K
Sot Samiti Ballkani Perëndimor- BE në Malin e Zi, Rama në
Edi Rama ne Malin e Zi

MALI I ZI- Do të mbahet sot në Malin e Zi, Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe të BE, i cili do të përqëndrohet kryesisht në bashkëpunimin ekonomik mes vendeve të rajonit. Në fjalën e tij para nisjes së këtij Samiti, kryeministri shqiptar Edi Rama, nuk la mangët batutat, kur tha se është i zhgënjyer që Mali i Zi nuk i priti liderët me një mot me diell, por i priti me një shi gjerman.

“Së pari do doja të thoja që jam shumë i zhgënjyer që Mali i Zi nuk arriti të na priste me mot me diell, por na priti me një shi gjerman. Sa i takon të tjerave cdo gjë është në rregull dhe ne jemi gati për një sesion të ri të këtij procesi inkurajues që do të hapë shtigje të reja për vendet tona për t’u integruar në BE    dhe në tregun e vetëm të tij, duke krijuar shanse të reja për njerëzit.

Ideja që brenda këtij viti mund të sigurohemi që transfertat financiare të qytetarëve tanë nga BE në vendet tona, do të jetë shumë më i lehtë pasi nuk do të kemi barrën e shpenzimeve që kanë pasur është dicka shumë pozitive. Sa i takon të tjerave duhet të punojmë”, u shpreh Rama.

Ndërkohë që më kritik ka qenë në qëndrimet e tij kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Kurti tha se ky takim i tretë mes liderëve të rajonit është një shansi i mirë për të diskutuar integrimin e mëtejshëm, ndërsa shprehu pakënaqësi ndaj Bosnje Hercegovinës, duke thënë se ende nuk ka ratifikuar marrëveshjen e lëvizjes së lirë.

“41 vjet më parë në Kotorr ishte xhaxhai im i burgosur politikisht për 3 muaj. Ai vjen nga Ulqini në një fshat në kufi me Shqipërinë. 25 vjet më parë unë u bëra i burgosur politik dhe më vonë i burgosur i luftës. Ishte koha kur regjimi i Millosheviçit po ushtronte gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe në Mal të Zi ne patëm një mik sepse refugjatët shqiptarë që i shpëtuan masakrës, projektit serb për shfarosjen e tyre, gjetën strehë në Mal të Zi ku hasën mikpritjen banorëve vendas.

Tani po kthehem në Kotor, si kryeministër i Kosovës dhe në të njëjtën kohë jam shumë i lumtur që xhaxhai im sot është i lirë dhe mirë me shëndet.

Takimi i tretë për Ballkanin është një shans i mirë për vendet e rajonit që të mblidhen dhe të diskutojnë sesi mund të integrohen me tej duke kryer reforma por dhe duke parë sesi mund të bëjnë më shumë dhe më mirë duke përfituar nga plani i rritjes dhe aksesin tonë në tregun e brendshëm të BE.

Mezi presim të kemi një bashkëpunim më të mirë që të pasqyrojë në mënyrë defacto dhe dejuro njohjen reciproke mes të gjitha vendeve të Ballkanit.

Aktualisht jemi të pakënaqur nga fakti se Bosnje Hercegovina nuk ka ratifikuar ende marrëveshjen për lëvizjen e lirë. Në fund lë lejoni të falënderoj kryeministrin Sparic për mikpritjen e ngrohtë të këtij takimi. Faleminderit dhe ju uroj gjithë të mirat”, tha Kurti.

Ky takim rajonal që zhvillohet nën logon “Një rajon, vizion i përbashkët”, pason takimet e mëparshme të këtij niveli mes liderëve, në Tiranë dhe në Shkup, ku është diskutuar gjerësisht mbi Planin, që synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me vendet e BP.

Samiti është i konceptuar në dy panele, përkatësisht: “Angazhimi dhe planet e së ardhmes”, si dhe “Kontributi për fuqizimin e bashkëpunimit rajonal”, me pjesëmarrjen liderëve të rajonit, si dhe Komisionerit të BE për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi. dhe Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien. Në Samit janë  të pranishëm drejtues e përfaqësues të organizatave partnere si Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Evropiane e Investimeve, Banka Botërore, përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian,etj.

Në nisje të punimeve të Samitit, Kryeministri Rama dhe liderët e tjerë të rajonit u pritën nga Kryeministri i Malit të Zi Milojko Spajić./ZËRI 

Poll

MOS HUMB