
TIRANË- Ish-kryebashkiaku i Kavajës Elvis Roshi është paraqitur këtë të enjte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku ka qendruar për rreth 4 orë. Ndaj tij ka një hetim të hapur nga SPAK, për shpërdorim detyre, gjatë kohës që ushtronte funksionin e kryetarit të bashkisë së Kavajës. ZËRI raportoi pak ditë më parë se Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, i ka kërkuar SPAK-ut që të marrë nën hetim ish-kryebashkiakun e Kavajës Elvis Roshi, për një denoncim që është bërë ndaj tij në vitin 2017, në lidhje me akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.
“Për shkak të hetimit nuk mund të flas”, tha Roshi, teksa la ambientet e Prokurorisë së Posaçme.
Pasi Gjykata e Durrësit ka shpallur moskompetencën, GJKKO urdhëron SPAK që të kryejë ajo hetimet ndaj Roshit. Ka qenë gjyqtarja Rudina Palloj, ajo që ka marrë në shqyrtim vendimin e prokurorisë së Durrësit, që kishte pushuar hetimet ndaj Roshit.
Procedimi penal ndaj Roshit, u regjistrua pasi Kontrolli i Lartë i Shtetit, pas një auditimi në Bashkinë e Kavajës evidentoi shkelje duke bërë kallëzim.
TENDERI I DYSHIMTË
“KLSH ka kryer auditimin mbi rregullshmërinë dhe përputhshmërinë financiare në Bashkinë Kavajë, për periudhën 01.01.2015-31.12.2016 dhe për ish komunat, të kaluar në administrim të kësaj Bashkie, për periudhën nga 01.01.2013 deri 31.07.2015.
Sipas palës kallëzuese, nga auditimi i ushtruar janë konstatuar shkelje të rënda të dispozitave ligjore e nënligjore në fushën e prokurimeve publike.
Për këtë shkak, Kontrolli i Lartë i Shtetit, i është drejtuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, nëpërmjet shkresës nr.258/14, date 27.07.2017, me lëndë "Indicie për ndjekje penale mbi shkeljet e konstatuara nga ana e Bashkisë Kavajë".
Prej këtej, sipas palës kallëzuese, rezulton se: i) Në procedurën e prokurimit me objekt "shërbimi i pastrimit të qytetit" të zhvilluar në datën 15.02.2016, me fond limit 147,519,416 lekë (pa TVSH), titullari i Autoritetit Kontraktor, Z. Elvis Roshi, ka miratuar procedurën dhe raportin përmbledhës të KVO-së, si dhe ka shpallur prokurimin publik dhe kërkesat e LPP.
Konkretisht: fitues OE "Alko Impeks Genaral Construction" SHPK, në kundërshtim me rregullat e OE "Ekologica Albanta" SHPK i cili ka vetëm një mangësi, mungesën e kontrollit teknik të një mjeti, por me vlerë të ofertës ekonomike më të ulët (127,500,526 lekë) dhe OE "Alko Impeks Genaral Construction" SHPK, i cili për dy mjete nuk ka paraqitur lejen e qarkullimit, nuk vërteton se ka kryer kontrollin teknik dhe siguracionin e mjeteve, nuk vërteton se ka paguar detyrimet për taksat vendore në shtetin e Kosovës, nuk ka paraqitur deklaratë se ky formular nuk aplikohet në shtetin e Kosovës, ka ofertën ekonomike më të lartë (139,746,161 lekë).
Titullari i Autoritetit Kontraktor Z. Elvis Roshi, ka shpallur fitues OE "Alko Impeks Genaral Construction" SHPK, me më shumë mangësi dhe ofertë më të lartë. Si pasojë, fondet publike nuk janë përdorur në mënyrën e duhur, me një vlerë dëmi prej 12.245,635 lekë”. /ZËRI