
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, i ka kërkuar SPAK-ut që të marrë nën hetim ish-kryebashkiakun e Kavajës Elvis Rroshi, për një denoncim që është bërë ndaj tij në vitin 2017, në lidhje me akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.
Pasi Gjykata e Durrësit ka shpallur moskompetencën, GJKKO urdhëron SPAK që të kryejë ajo hetimet ndaj Rroshit. Ka qenë gjyqtarja Rudina Palloj, ajo që ka marrë në shqyrtim vendimin e prokurorisë së Durrësit, që kishte pushuar hetimet ndaj Rroshit.
Procedimi penal ndaj Rroshit, u regjistrua pasi Kontrolli i Lartë i Shtetit, pas një auditimi në Bashkinë e Kavajës evidentoi shkelje duke bërë kallëzim.
NJOFTIMI I GJKKO:
Në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në datë 30.11.2023, është regjistruar kërkesa penale me nr. 23/113 akti, ardhur për shkak të deklarimit të mos kompetencës lëndore nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me objekt: “Pushimin e procedimit penal nr. 317 të vitit 2017, të regjistruar pa autor për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal”, me palë kërkuese Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës dhe kallëzues Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, bazuar në nenet 112, 75/a, 128, 128/a, 329, 329/a, 329/b e vijues të Kodit të Procedurës Penale, me vendimin nr. 23, datë 26.03.2024, vendosi:
Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me objekt: Pushimin e procedimit penal nr.317 të vitit 2017, të regjistruar për veprën penale “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 të K. Penal.
Kalimin e akteve që ndodhen pranë kësaj gjykate, të përcjella nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për vijimin e hetimeve, Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtën e ankimit brenda 15 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
TENDERI I DYSHIMTË
“KLSH ka kryer auditimin mbi rregullshmërinë dhe përputhshmërinë financiare në Bashkinë Kavajë, për periudhën 01.01.2015-31.12.2016 dhe për ish komunat, të kaluar në administrim të kësaj Bashkie, për periudhën nga 01.01.2013 deri 31.07.2015.
Sipas palës kallëzuese, nga auditimi i ushtruar janë konstatuar shkelje të rënda të dispozitave ligjore e nënligjore në fushën e prokurimeve publike.
Për këtë shkak, Kontrolli i Lartë i Shtetit, i është drejtuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, nëpërmjet shkresës nr.258/14, date 27.07.2017, me lëndë "Indicie për ndjekje penale mbi shkeljet e konstatuara nga ana e Bashkisë Kavajë".
Prej këtej, sipas palës kallëzuese, rezulton se: i) Në procedurën e prokurimit me objekt "shërbimi i pastrimit të qytetit" të zhvilluar në datën 15.02.2016, me fond limit 147,519,416 lekë (pa TVSH), titullari i Autoritetit Kontraktor, Z. Elvis Rroshi, ka miratuar procedurën dhe raportin përmbledhës të KVO-së, si dhe ka shpallur prokurimin publik dhe kërkesat e LPP.
Konkretisht: fitues OE "Alko Impeks Genaral Construction" SHPK, në kundërshtim me rregullat e OE "Ekologica Albanta" SHPK i cili ka vetëm një mangësi, mungesën e kontrollit teknik të një mjeti, por me vlerë të ofertës ekonomike më të ulët (127,500,526 lekë) dhe OE "Alko Impeks Genaral Construction" SHPK, i cili për dy mjete nuk ka paraqitur lejen e qarkullimit, nuk vërteton se ka kryer kontrollin teknik dhe siguracionin e mjeteve, nuk vërteton se ka paguar detyrimet për taksat vendore në shtetin e Kosovës, nuk ka paraqitur deklaratë se ky formular nuk aplikohet në shtetin e Kosovës, ka ofertën ekonomike më të lartë (139,746,161 lekë).
Titullari i Autoritetit Kontraktor Z. Elvis Roshi, ka shpallur fitues OE "Alko Impeks Genaral Construction" SHPK, me më shumë mangësi dhe ofertë më të lartë. Si pasojë, fondet publike nuk janë përdorur në mënyrën e duhur, me një vlerë dëmi prej 12.245,635 lekë”.
/ZËRI