"O hajdut i vogël"- Braçe 'i çohet' Shehajt në Kuvend: E ke bërë si legen! Ndërhyn Balla: Je gjobaxhi, i vodhe PD-së...(VIDEO)
TIRANË- Përplasje dhe debate të forta mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës po shoqërojnë seancën plenare që prej mëngjesit të sotëm.
Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj është përfshirë në një debat të ashpër me deputetin socialist, Erion Braçe. Ky i fundit po fliste nga foltorja e Kuvendit, ndërsa Shehaj ndërhyri vazhdimisht duke drejtuar akuza të forta ndaj mazhorancës.
Përplasja mes tyre nisi pasi Shehaj e quajti Braçen ‘hajdut i vogël’. Kjo deklaratë bëri që Braçe t’i shkonte Shehajt në vendin ku ai ishte ulur në Kuvend, dhe ti kërkonte llogari.
Braçe i tha Shehajt se një deklaratë të tillë e kishte bërë edhe më parë, por sipas tij, deputeti i 'Mundësia' i kishte kërkuar më pas falje.
Shehaj: Ti je hajdut i vogël.
Braçe: Atë hajdutin ta kam thënë njëherë, e ke bërë si legen, ke kërkuar edhe falje.
Shehaj: Jo jo, s’të kam kërkuar falje. Je një hajdut i vogël. Je i vogël në gjithçka. Zoti kryetar, merr masa shkova unë te ai hajduti i vogël, apo erdhi ai te unë.
Më pas, reagime të ashpra kanë ardhur edhe nga kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili iu drejtua Shehajt duke e quajtur 'gjobaxhi i vogël'.
“Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra. Person që mendon që duke bërtitur dhe shkuar përtej çdolloj norme tha se tregu i karburanteve në Shqipëri kontrollohet nga një subjekt…Ti je një gjobaxhi i vogël… Iu turre një biznesmeni. Siç ua bërë këtyre. I vodhe PD të dhënat e partisë….I ke vjedhur PD të dhënat e anëtarëve dhe u çon edhe mesazhe mos votoni PD”, tha Balla.
"Bukurosh bëje replikën me ChatGPT"! Përplasje e fortë Balliu-Çaushi: Je prova e degradimit në arsim
TIRANË- Kuvendi ëshë në seancë plenare prej disa orësh, ku janë regjistruar debate dhe diskutime të shumta. Edhe në këto momente, diskutimet vijojnë, ndonëse një pjesë e madhe e deputetëve janë larguar nga salla.
Mes tensioneve, gjatë debatit për çështjet e energjisë, deputetja socialiste Zegjine Çaushi u përplas me deputetin e Partisë Demokratike Klevis Balliu.
Çaushi akuzoi opozitën se po kundërshton çdo nismë dhe po shndërrohet në një “krah zhurmues” që, sipas saj, nuk ofron zgjidhje për qytetarët. Ajo theksoi se Shqipëria vijon të ecë përpara pavarësisht kritikave, ndërsa shtoi se energjia elektrike nuk duhet të përdoret për debat politik.
“Këtu te ne, edhe lajmi i mirë duhet të kalojë te filtri i këtij krahu zhurmues. Ky krah nuk ka asnjë limit dhe vjen këtu të jetë kundër çdo gjëje. Nëse nuk ka investime, ju ulërini. Nëse ka investime, thoni ‘Pse tani?’. Në çdo rast keni të njëjtin refren. Në çdo rast, e njëjta politikë e vjetër. Po flasim për ato zona që për vite me radhë keni arritur të mbijetoni pak. Po flasim për njerëzit që nuk duan politikë me energjinë, por energji në shtëpinë e tyre. Por për ju, edhe energjia elektrike kthehet në debat politik. Ju nuk jeni në anën e zgjidhjes, nuk jeni në anën e qytetarëve, jeni në anën e bllokimit të çdo gjëje që ecën përpara. Ju mund të jeni të shkëlqyer në zhurmën që bëni, por zhurma nuk e ndalon zhvillimin e Shqipërisë. I ka mbijetuar Shqipëria këtyre. I ka mbijetuar edhe atij Gërdecit tuaj. Këtë mbijetim, Shqipëria e tregoi me 11 maj. Sa më shumë përpiqeni t’i ndaloni, aq më shumë Shqipëria ecën përpara. Ata nuk kanë nevojë për debatet tuaja, kanë nevojë për një shtet që funksionon. Qytetarët e dallojnë kush ndërton rrjet politik dhe kush ndërton zhurmën, e cila nuk mbaron në këtë sallë dhe nuk do të mbarojë sa të jetë Sali Berisha dhe këta bukuroshët. Me apo pa këta bukuroshë, Shqipëria ecën përpara. I nderuar bukurosh, eja këtu dhe bëj replikën tënde që të ka bërë ChatGPT”, tha Çaushi.
Nga ana tjetër, Balliu reagoi ashpër, duke e cilësuar deputeten socialiste si një shembull të degradimit të sistemit arsimor në vend. Ai ironizoi ndërhyrjen e saj dhe kritikoi nivelin e debatit në Kuvend.
“Nuk e kuptoj pse duhet ta merrje kufjen me vete. Zegjine, unë sinqerisht kam dëshirë që të flasësh këtu, jo një herë, jo dy herë, por 20 herë. Nëse ka një provë të degradimit të sistemit arsimor, je në mendimin tim, pavarësisht çfarë thotë kjo opozitë, por prova jonë, më e pastër e më e qartë që sistemi arsimor ka dështuar që ka ndodhur në institucione, je ti. Kam një ankesë nga disa miq”, u shpreh Balliu.
"Kush e frenoi Porto Romanon?", Karakaçi-Kaprit: Baza e NATO-s ambicie e qeverisë, ndaj e ndryshuam projektin
TIRANË- Tre interpelanca janë shtyer në total gjatë seancës së sotme, ndërsa të tjera janë zhvilluar mes deputetëve të opozitës dhe ministrave.
Deputeti i partisë “Mundësia”, Erald Kapri, gjatë një interpelance me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, kërkoi më shumë transparencë mbi projektet e Korridorit VIII dhe Porto Romano. Kapri ngriti shqetësime për mungesën e sqarimeve lidhur me largimin e kompanive të huaja dhe për pretendimet mbi ndërhyrje të faktorëve të jashtëm në këto projekte strategjike. Kapri theksoi rëndësinë ekonomike dhe të sigurisë që ka Korridori VIII, duke kërkuar përgjigje konkrete për kostot, procesin dhe ecurinë e zbatimit të tij.
Ministri i Energjisë dhe Intrastrukturës Enea Karakaçi, i ktheu përgjigje deputetit Erald Kapri, se pse është amenduar projekti fillestar për portin e ri në Porto romano. Po ashtu, ministri zbuloi më shumë detaje për projektin në Porto Romano.
“Pse është amenduar më vonë, për të patur nevojën e projektimit të hapësirës së dedikuar për forcën detare ushtarake të NATO-s. Ju me të drejtë shqetësoheni për NATO-n, por ka qenë qëllimi, vizioni dhe objektivi i qeverisë shqiptare që të kishte një bazë detare të NATO-s dhe prandaj ka bërë një amendim të projektit...Porti aktual është e pamundur të zgjerohet përtej kufijve ekzistues. Porti i ri është projekt i mirëmenduar, i hartuar me ekspertizë ndërkombëtare. Kapaciteti i portit është për të menaxhuar maksimumi 200 mijë kontejner, jemi në kufirin maksimal. Porti i ri ka kapacitet 600 mijë deri në 1 milionë kontejnerë.”, tha ministri Karakaçi./ZËRI
'Call Centerat' diskutohen në Kuvend, Braçe: Aktivitet i hershëm, kërkova seancë për të hartuar program...
TIRANË-Deputeti socialist, Erion Braçe nga Kuvendi, u ndal te goditja nga SPAK e Call Centerave mashtrue. Braçe theksoi se është e nevojshme hartimi i një strategjie për goditjen e këtij fenomeni, me përfshirjen e të gjithë institucioneve përkatëse duke filluar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) deri te Sektori Kibernetik në Policinë e Shtetit.
Erion Braçe: Aktiviteti i call Centerave apo Forex në këtë vend është aktivitet i hershëm dhe se ka qenë i tillë. Kam kërkuar kohë pas kohe në komisionin e Ekonomisë shpjegime nga autoritetet dhe të mbikëqyrjes financiare, të pastrimit të parave dhe policisë së shtetit. Herën e fundit që kam folur për këtë gjë jo më larg se muaj më përpara dhe kam kërkuar në komision zhvillim një seancë të përbashkët me institucionet e tjera, përfshirë AMF, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, të parandalimit të pastrimit të parave dhe sektorin kibernetik në policinë e shtetit për të hartuar një program të qartë për goditjen e këtij fenomeni. Ky është krim individual mashtrimi. Ajo që duhet kërkuar nga të gjitha agjencitë ligjzbatuese të merren me këtë fenomen dhe ta godasin, se turpëron dhe shkatërron imazhin e Shqipërisë në raport me qytetarët e BE.
Shtyhet interpelanca e Shehajt dhe Kaprit me zv/kryeministren Koçiu
TIRANË- Një tjetër interpelancë është shtyrë për në seancat e ardhshme. Bëhet fjalë për interpelancën e kërkuar nga deputetët e partisë Mundësia, Agron Shehaj dhe Erald Kapri me zv.kryeministren Albana Koçiu.
Kryeparlamentari Niko Peleshi njoftoi se interpelanca do të zhvillohet në një moment të dytë, duke mos dhënë detaje për mungesën e zv.kryeministres Koçiu në seancën e sotme plenare.
“Me mirëkuptimin e dy palëve, kjo interpelancë do të zhvillohet në një seancë të mëvonshme”, tha Peleshi./ZËRI
Mungojnë ministrat Nufi e Kumbaro, shtyhen 2 interpelancat e kërkuara nga PD! Peleshi: Duhet të respektojnë Kuvendin
TIRANË- Dy interpelancat e kërkuara nga opozita janë shtyrë për seancën e ardhshme plenare. Inteperlanca e parë lidhej me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, i cili nuk ishte i pranishëm për shkak të një angazhimi zyrtar jashtë vendit. Sipas ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, ndryshimi i orarit të fluturimit dhe situata me grevën e 'Lufthansa'-s e bënë të pamundur kthimin e tij në kohë nga Kroacia, ku ndodhej në një vizitë zyrtare.
“Lidhur me interpelancën urgjente, për arsye objektive, për shkak të një angazhimi zyrtar të ministrit, për shkak të një ndryshimi të orarit të fluturimit, është e pamundur që të mbërrijë në interpelancë. Do të kërkonim që kjo interpelancë të shtyhet në seancën e radhës”, tha Ismaili.
Interpelanca e dytë ishte planifikuar me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, por edhe ajo u shty për shkak të angazhimit të saj në finalen e Konkursit të Gjuhës Shqipe.
“Është finalja e konkursit për gjuhën shqipe, është atje si organizatore”, sqaroi Ismaili.
Nërkohë, kryeparlamentari Niko Peleshi ndërhyri në debat dhe ndau të njëjtin qëndrim me opozitën, duke theksuar se interpelancat duhet të kenë përparësi ndaj çdo angazhimi tjetër. Megjithatë, ai e konsideroi rastin e ministrit Nufi si përjashtim për shkak të rrethanave të paparashikuara.
“Ndaj të njëjtin qëndrim me opozitën, interpelanca duhet të prevalojë mbi çdo axhendë tjetër. Ministri duhet të respektojë Kuvendin e Shqipërisë dhe të jetë këtu”, u shpreh Peleshi.
A e keni numrin e ministres? Korreshi: Nuk hyet në Europë pa eko, grafia del si foto pa blic, gratë lindin shkallëve
TIRANË- Deputeti i PD Saimir Korreshi në seancën plenare në Kuevnd, ka kërkuar Ministren e Shëndetësisë, Evis Sala ku renditi problemet sa i përket shëndetësisë në Lushnje.
Saimir Korreshi: A e keni numrin ta thërrisni ministren e Shëndetësisë, se vërtetë ka ikur në Europë, po dua t’i them nuk hyhet në Europë pa pambuk e jodio, pa mamografi e eko që nuk punojnë në Leshnjë, se po çojmë në Lushnjë dhe po na dalin lushnjarët të gjithë fierakë. Nuk hyhet në Evropë kur nuk punon mamografia në Lushnje, kur nuk ka eko për të bërë ekzaminimet gjatë lindjes. Po i çojmë në Fier po na dalin lushnjarë të gjithë fierakët. Nuk hyhet në Evropë kur ekografia del si fotografi pa blic. As kur nuk ka ashensor për tu ngjit në kat të 3 që po lindin gratë shkallëve. Nuk ka ashensor të pediatria, urgjenca në kat të 4. Burrë e grua e bëjnë me radhë nga 2 kate se japin shpirt rrugës. Llapma jo e jo.
DEBATI- Ministri Salla: 100 mln euro, për fermerët! Berisha: Ktheni subvencionin e naftës, mburresh se ke futur dosat
TIRANË-Kryetari i PD-së Sali Berisha ka kërkuar nga Kuvendi që qeveria të rikthejë naftën pa taksa për fermerët. Berisha akuzoi qeverinë se nuk ka ofruar mbështetje të mjaftueshme ndaj fermerëve, duke theksuar se vendi ynë nuk mund të krahasohet as me Kosovën e jo më me vendet e BE. Kryedemokrati kërkoi rikthimin e subvencioneve të naftës. Në përgjigje Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, mbrojti skemën kombëtare të subvencioneve, duke theksuar fondin prej dhjetëra milionë eurosh dhe përafrimin me standardet e BE-së.
Andis Salla: Është një skemë që e kemi përafruar me BE, është një skemë 52 milion euro. Kemi një minimum 15 mijë euro të vendosur për kompensimin e faturave. Prandaj qeveria shqiptare ka akorduar mbi 100 milionë euro, për fermerët shqiptarë, të cilat do të jenë vetëm për subvencionet dhe fermerët. Prandaj ne duhet që me sektorin bujqësor të jemi paralele dhe po ecim me një shifër shumë të mirë. Ne do e bëjmë publike skemën kombëtare dhe do të jemi në çdo qark për Të sqaruar fermerët dhe për t’i ftuar ata që të bëhen pjesë e paketës sonë kombëtare.
Sali Berisha: Le të gjejnë një vend të vetëm në BE, që ka hequr subvencionin e naftës. Absolutisht asnjë vend. Ua them unë ju, vendet e BE ndahen në tre grupe: ato që kanë subvencion maksimal, ato që kanë subvencion mesatar dhe ato që kanë subvencion më të ulët. Këtë vit Gjermania që bënte subvencion mesatar, kaloi në subvencionin maksimal. Ti ke mburrur se ke futur edhe dosat në subvencion, shumë mirë ke bërë, por nuk është vetëm ajo.
Projektligji për Gardën e Republikës! Balliu: Kostum që po i përgatitet një njeriu. Balla: Shpifje e ulët
TIRANË-Seanca plenare ka nisur me debat lidhur me disa ndryshime ligjore të propozuara nga grupi parlamentar i PS lidhur me Gardën e Republikës së Shqipërisë. Deputeti Klevis Balliu e cilësoi nismën si të motivuar nga interesa individuale, pasi kreu i grupit të PS, Taulant Balla kërkoi shtyrjen në seancën e radhës të projektligjit për Gardën e Republikës. Balliu tha se kjo çështje nuk duhet të vijë fare në Kuvend.
Klevis Balliu: Projektligji për Gradën është më shumë një kostum që kryeministri kërkon të bëjë shef të Gardës, se sa është për vetë Gardën. Nuk as një njeri që nuk e di as në Gardë dhe as në Parlament që nuk e di që kjo po bëhet vetëm për një person. Jemi dakord që ky projektligj të mos jetë fare këtu. Parlamenti të bëjë ligje për interesin qytetar, jo vetëm të një personi.
Taulant Balla: Garda e Republikës është një institucion elitë, në grupin e institucioneve në vend. Punonjësit e Gardës meritojmë respekt. E vërteta është që gjithmonë duhet t’u japim mbështetje. Çdo lloj shpifje ndaj Gardës së Republikës është e ulët. I qëndroj propozimit tim, ka qenë një propozim edhe nga koleget e opozitës. Kjo çështje të kalojë për votim.