
TIRANË – Skënder Gjinushi është zgjedhur sërish në krye të Akademisë së Shkencave.
Ai ishte i vetmi kandidat në garë për kreun e ASH. Nga 53 anëtarë të Akademisë së Shkencave, 51 votuan pro dhe 2 kundër.
Në një komunikim për mediat, Gjinushi deklaroi se nuk e di pse nuk ka rival në garë. Ai shtoi se Akademia do vazhdojë me reformat.
“Nuk e di përse nuk ka kandidat të tjerë përveç meje, çdokush do të ishte i mirëpritur. Fakti që edhe në mandatin e dytë mora një mbështetje kaq të madhe në vota, tregon se është punuar mirë. Anëtarët e Akademisë e dinë më mirë se kush duhet të jetë drejtuesi, ekipi që udhëheq. Zgjedhjet janë të lira dhe do ishte gabim pengimi i kandidimit, qoftë i imi apo dikujt tjetër. Më zgjodhën 53 akademikë, besoj se ata janë mjaft të mençur sesi e hedhin votën”, tha Gjinushi.
Skënder Gjinushi u propozua për të qenë sërish në krye të Akademisë, nga akademikët Nestor Thereska, Arben Merkoçi dhe Ardian Civici, që vlerësuan punën e tij në mandatin e parë si kryetar i Akademisë.
Ndërsa akademiku Vasil Tole, që rikandidoi për postin e zëvendëskryetarit të ASH, u zgjodh me 50 vota pro dhe 3 kundër.
Mbledhja për zgjedhjen e kryetarit në ASH u bë pa njoftuar mediat. Akademiku Artan Fuga u deklarua kundër procedurave që janë ndjekur në zgjedhjet e sotme në Akademinë së Shkencave.
Pak kohë më parë, opozita kundërshtoi projektligjin për ASH, që i lejon kryetarit të Akademisë (edhe zëvendëskryeetarit), një mandat të dytë dhe ku po ashtu u hoq edhe kufizimi i moshës deri 75 vjeç. /Zëri.ai/