
TIRANË- Samiti i Procesit të Berlinit që po mbahet në Tiranë, i pari në një vend jo anëtar të BE-së, mbart në vetvete një sërë simbolikash, nga përzgjedhja e ish-Piramidës si vend pritës për liderët e BE-së, te një balet dhe pikturë që iu prezantuan të pranishmëve në nisje të takimit.
Përzgjedhja e Piramidës, këtë 16 Tetor përkon dhe me datën e lindjes së ish-diktatorit Enver Hoxha. Në të njëjtën datë kur 115 vite më parë lindi një prej diktatorëve më të egër në Europën Lindore, Shqipëria e post diktaturës e sheh veten, tashmë në një vend kandidat për anëtarësim në BE, dhe mikpritëse të një Samiti të nivelit të lartë.
Koregrafia e baletit
Në nisje të Samitit, pjesëmarrësit shijuan një performancë baleti nga koreografi Anxhelo Perlocaj, ndërsa ky i fundit e quajti kryeministrin “të çmendur” që kërkonte një realizim të tillë për 24 orë.
Pas përfundimit të koreografisë, kryeministri Edi Rama u shpreh se kërkonte që të ndërthurte artin e baletit me atë të pikturës, e cila u zbulua nga balerinët.
“Një shqiptaro francez një yll i shndritshëm në botën e baletit bashkëkohor. Ai u largua nga Shqipëria kur ishte në barkun e nënës. Dhe aty mësoi të vallëzonte se prindërit e tij u arratisën mes maleve ndërsa Franca e adoptoi”, e cilësoi Rama koreografin, ndërsa shtoi edhe simbolikën që baleti kishte: “I thashë do shkojë mirë, sepse Ballkani perëndimor pikturon, BE-ja vallëzon”.
“Faleminderit që patët durimin të ndiqnit diçka të vogël, i thashë, Edi je i çmendur, mendon se bëj gjëra për 24 orë? Më pas solla 23 balerinët e mi këtu dhe dje nisëm të punonim, u përpoqëm të bashkonim artin e pikturës dhe baletit. Dua të falënderoj Edin që ma dha këtë mundësi”, u shpreh Perlocaj, ndërkohë që arti i tij u duartrokit nga të pranishmit.
Piktura që prezantoi Rama
Bëhet fjalë për një telajo të krijuar me bojëra vaji nga Gian Domenico Cerrini, i cili krijimin e tij e quajti: Përdhunimi i Europës! (Rape of Europa).
Cerrini (1609–1681), i quajtur edhe Gian Domenico Cerrini ose il Cavalier Perugino, ishte një piktor i periudhës baroke, që frymëzimin për pikturën e kishte marrë nga mitologjia greke. Sipas mitologjisë, Zeusi ishte i mbushur me dashuri për Evropën dhe vendosi ta joshte. Ai u shndërrua në një dem të bardhë të zbutur dhe u përzier me kopetë e babait të saj.
Ndërsa Europa dhe ndihmësit e saj po mblidhnin lule, ajo pa demin, e përkëdhelte krahët e tij dhe përfundimisht iu ngjit në shpinë. Zeusi shfrytëzoi këtë mundësi dhe vrapoi në det me të në shpinë, në ishullin e Kretës. Më pas, ai zbuloi identitetin e tij të vërtetë dhe Europa u bë mbretëresha e parë e Kretës. Europa ishte nëna e mbretit Minos të Kretës. Dhe minoanët u bënë qytetërimi i parë i arsimuar në Evropë.
Aktualisht në ditët e sotme, piktura vlerësohet me çmimin €60,000 - €80,000.
Tirana pret sot për herë të parë Samitin e Procesit të Berlinit ku marrin pjesë krerët e BE-së, si dhe drejtuesit e shteteve kryesore të saj. Në takim mungon kryeministrja italiane Meloni, për shkak të axhendës së ngjeshur, ndërkohë që presidenti francez, Macron do ti bashkohet pasdite Samitit. Punimet e samitit do të zgjasin deri në orën 19 të pasdites./Zëri.ai