
TIRANË- Të shtunën e qetësisë e ka tronditur Lulzim Basha. Nuk ka të bëjë me asnjë deklaratë, asnjë akuzë nga ai që garoi disa herë për t'u bërë kryeministër i vendit, por për një shtrirje dore. Sot, Basha doli publikisht dhe u shpreh se nuk e përjashton mundësinë e një aleance me Sali Berishën. Po, me Sali Berishën!
Për të gjithë ata që e kanë ndjekur politikën 3 vitet e fundit, jo më shumë se kaq, e kupton rëndësinë e kësaj deklarate dhe kthimin e kursit 180 gradë të kreut të PD-së së vulës.
Që nga shpallja "non grata" e Sali Berishës, kur Basha vendosi që të mbante PD-në drejt kursit euro-atlantik kjo është deklarata më e pakuptimtë që ka bërë. Pasi e përjashtoi Berishën dhe pasi u përplasën edhe fizikisht më 8 janar për selinë blu, Basha ishte i vendosur në vetëm diçka, bashkëpunimin e kryeministrit Edi Rama dhe Sali Berishës dhe planin që ata kishin thurur kundër tij. Deri më sot, për të, Berisha dhe Rama ishin një, duke i bashkangjitur herë pas here edhe Ilir Metën. Të tre i ka cilësuar disa herë "trekëndëshi i Bermudës", nga të cilët, sipas tij, dilte çdo e zezë që i ishte shkaktuar Shqipërisë.
Edhe Berisha nga ana e tij, nuk është kursyer me fjalët duke e pagëzuar edhe me emra të tjerë veç atij që ka në pasaportë, duke e quajtur herë Lulzim Brava, herë Peng Brava. Peng, e pagëzoi sepse sipas Berishës, Basha është peng i kryeministrit Edi Rama dhe figurave të tjera të Partisë Socialiste.
I prekur nga ato që i thoshte herë pas herë publikisht Berisha, Basha reagonte ku të mundte, edhe në Twitter.
"Koha është ilaçi më i mirë. Dhe koha e rrëzoi malin e gënjeshtrave që ngriti para shqiptarëve ai që kërkon me çdo kusht e mjet të mbajë peng PD për interesat e veta personale."
"Të kishte sulmuar Ramën aq sa ka sulmuar ata që nuk mendojnë si ai, rezultati nuk do të ishte ky. Por halli i SB është tjetër nga hallet e qytetarëve. Sot si dje ai shpik e kërkon armiq për të fshehur dështimin që mbolli duke vendosur interesin e tij mbi atë të demokratëve."
Tani, gjërat kanë ndryshuar! "Tik-taku" i famshëm i Bashës tani është kundër tij, sidomos tani që janë të besuarit e Berishës dhe socialistët ata që kanë në dorë Reformën Zgjedhore. I lënë jashtë loje, Basha duket se kërkon me çdo kusht që të fusë edhe ai gishtin e tij në këtë marrëveshje që do të vendosë fatin e Parlamentit të ardhshëm. Për të ruajtur karrigen e tij në Kuvend, është shprehur sot më i gatshëm se kurrë për të lëpirë edhe njëherë aty ku ka 3 vjet që pështyn.
Madje, pa asnjë problem! Por kërkon një betejë të përbashkët, pa gjëra personale, të cilat bashkë mesa duket i kanë zgjidhur. Ose ndoshta ashtu shpreson Basha.
Koha kur Basha ka zgjedhur të tundë flamurin e bardhë, nuk është fare e rastësishme. Për më tepër që nga ana tjetër, Apeli shumë shpejt do të vendosë për vulën e PD-së, që në shkallën e parë i kaloi Berishës. Po ashtu, Basha nuk më pranë vetes as kreun e grupit parlamentar, Gazment Bardhi, i cili iu bashkua pak a shumë në të njëjtat kushte si Basha, Berishës. Vetëm se për këtë të fundit, Berisha kurrë nuk kishte thënë “JO”… ama për Bashën nuk është kursyer!
Disa herë në daljet e tij publike, por edhe të personave shumë të afërt me kryedemokratin, Berisha është shprehur shumë qartë, pranon bashkëpunon me të gjithë demokratët; veç Lulzim Bashës dhe Enkelejd Alibeaj. Të dy janë të përjashtuar, sipas tij, përgjithmonë!
Megjithatë Basha është tek dera, po lutet, e do një vend në Zgjedhore, e do një vend në Kuvend. A do t’ja hapë Berisha?/ZËRI