Politikë

Basha bën "hapa pas", por ka 4 kushte për bashkëpunim me Berishën

Për Bashën ka 4 kushte të qarta dhe të panegociueshme: Reforma Zgjedhore, listat e hapura, votimi elektronik dhe ai i diasporës.

k.m.
Basha bën "hapa pas", por ka 4 kushte për bashkëpunim
Sali Berisha dhe Lulzim Basha

TIRANË- Nëse kryedemokrati Sali Berisha është i vendosur që nuk ka asnjë urë komunikimi me Lulzim Bashën, ky i fundit nuk ka përjashtime nga bashkëpunimi me askënd, por ka vetëm 4 kushte. Sot, Kryetari i Partisë Demokratike (të vulës), Lulzim Basha, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” ka folur në lidhje me mundësinë e bashkëpunimit në të ardhmen me ish-kryeministrin Sali Berisha. Për Bashën ka 4 kushte të qarta dhe të panegociueshme: Reforma Zgjedhore, listat e hapura, votimi elektronik dhe ai i diasporës.

Më pas, Basha u shpreh se mundësia e një aleance me Berishën brenda një federate opozitare nuk mund të vijë si një bashkëpunim mekanik, por gjithashtu shtoi se nuk ka asgjë personale me askënd, edhe pse Berishën e ka sulmuar disa herë publikisht.

E përjashton mundësinë e një aleance me Berishën brenda Federatës opozitare?

Basha: Aleanca nuk mund të jetë bashkëpunim mekanik. Nuk kemi asgjë personale me askënd, por kemi këto kritere. Reforma Zgjedhore, listat e hapura, këto i duan shqiptarët. Shumica e shqiptarëve do listat e hapura. Votimin elektronik, vota e diasporës janë shtyllat e para ku bashkohen interesat e aleatëve tanë. Interesi i dytë është shteti i të drejtës dhe më pas partneriteti me aleatët tanë perëndimorë.

Sa i takon masës së arrestit shtëpiak ndaj kryedemokratit, Basha u shpreh se në rrafshin personal “nuk i vjen fare mirë”, por gjithashtu shtoi se personi që e ka këshilluar kryedemokratin që të mos paraqitej në ambientet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka bërë gabim. 

Çfarë është për ju zoti Berisha, çfarë mendoni sot për të?

Basha: Kam një qëndrim konstant për Berishën. Ka pasur përgjegjësinë dhe privilegjin të drejtojë PD për një kohë të gjatë. Ka arritur shumë gjëra të mira me PD për Shqipërinë. Në rrafshin personal nuk më vjen fare mirë ta shoh në këtë pozitë. Në rrafshin procedural, ai që e ka këshilluar të mos paraqitet ka bërë një gabim trashanik. Ne si politikanë kemi detyrë të japim mbështetje pa kushte për drejtësinë, dhe ajo duhet të tregojë seriozitet në raste si këto, jo të trajtojë dikë mbi ligjin. Duke pasur parasysh ndjeshmërinë publike, duhet të tregojë seriozitet të veçantë.

Në fund, deputeti i Partisë Demokratike foli edhe për çështjen e 21 janarit. Sipas tij, çështja po përdoret politikisht, duke shtuar se ngjarja duhet të zbardhet deri në fund.

“Nuk i druhem hetimeve. Çështja po keqpërdoret politikisht. Të zbardhet ngjarja pa ndërhyrje politike. Kjo ngjarje ka dhe një aspekt njerëzor, që është dhimbje. Mos harrojmë që 21 janari u bë për Metën dhe më pas Meta u fut në qeveri. Kjo qelbet era hipokrizi,”-shtoi Basha./ZËRI

Poll

MOS HUMB