
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike zyrtare, Lulzim Basha, mbajti sot një konferencë për mediat nga ku foli për zhvillimet e fundit politike, por edhe amnistinë penale, që është kthyer në kalin e tyre të betejës.
I pyetur lidhur me protestat e organizuara nga Rithemelimi dhe Partia e Lirisë para bashkisë Tiranë si edhe për sulmet që Meta ka bërë ndaj tij, Lulzim Basha tha se “nuk merret më me Metën”, dhe se ky i fundit sipas tij është kartë e djegur.
“Nuk merrem më me zotin Meta dhe mashat e tij. Është harxhim kohe për mua për opozitarët. Punën e kemi me Ramën e Veliajn. Zoti Meta është kartë e djegur”, tha Basha.
Kujtojmë se në daljet tij të fundit, Meta ka ironizuar shpesh Bashën, duke thënë se “nuk fitohet as duke fjetur as duke shumëzuar 7×7=42″. Ndërkohë sa i takon amnistisë penale, Basha akuzoi PS-në dhe Rithemelimin për pazar. Për kreun e PD, Amnistia Penale është një atentat ndaj Reformës në Drejtësi.
“Sa me shumë SPAK ka sukses në goditje kundër korrupsionit qeveritar, aq më shumë nxjerrin nga sirtarët projektet për të zhbërë këtë strukturë dhe për ta kontrolluar atë.
Ai nuk ka gënjyer nga halli, por planifikoi lirimin e dhjetërave deri në 100 të burgosur, të dënuar për korrupsion nga GJKKO. Manja bën hipokrizi te SAPA kur thotë ‘luftoni korrupsionin’, por bëri pazare.
Ata kërkojnë që t’u mbyllin gojën me kodin e heshtjes. Është atentat ndaj SPAK dhe reformës në drejtësi. Nuk është bërë me eksploziv dhe karikator, por me akt politik.
Sot qindra zyrtarë, po japin dorëheqjen dhe nuk ka aplikime për t’i zëvendësuar sepse e kanë kuptuar që po përdoren “si mish për top”.
E njëjta gjë në raport me të tjera aspekte të bashkëpunimit të SPAK me institucionet ndërkombëtare ku jepet leksion në vend që të ndryshohen ligjet për të lehtësuar komunikim e ndërsjellë mes organeve të drejtësisë tona me ato ndërkombëtare.
I pafalshme që një person se pse duhet të japë llogari se pse gënjeu shqiptarët, që nuk ka përfitues nga amnistia për të dënuarit e GJKKO, shkon e jep leksione”, tha Basha.