
LUKSEMBURG- TIRANË- Sot Shqipëria do të të çelë negociatat me Bashkimin Europian për kapitujt themelorë. Takimi do të mbahet sot në Luksemburg, ku i pranishëm do të jetë edhe kryeministri Edi Rama. Sipas agjendës zyrtare në takim përfshihet hapja e pesë kapitujve:
-Funksionimi i institucioneve demokratike
-Reforma e administratës publike
-Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore
-Kapitulli 24 – Drejtësia, liria dhe siguria
-Kriteret ekonomike
-Kapitulli 5 – Prokurimi publik
-Kapitulli 18 – Statistikat
-Kapitulli 32 – Kontrolli financiar
Vendi ynë përfaqësohet në Luksemburg nga kryeministri Edi Rama, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja Majlinda Dhuka, Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, si dhe një delegacion i përbërë nga negociatorët përgjegjës për kapitujt përbërës të grupkapitullit të parë.
Ky takim pritet të nisë në orën 08:00 dhe do të drejtohet nga kryeministri Edi Rama dhe ministri hungarez i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Péter Szijjarto, i cili kryeson Presidencën e radhës së BE-së. Pas takimit në orën 09:25 pritet që Rama dhe Szijjarto të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Shqipëria aplikoi për anëtarësim në BE në prill 2009 dhe iu dha statusi kandidatit për në BE në qershor 2014. Ndërsa në mars të 2020 Shqipëria mori aprovimin për hapjen e negociatave dhe në korrik të 2022 BE mbajti konferencën e parë ndërqeveritare me vendin tonë. /ZËRI