
LEZHË-Deputeti i Partisë së Gjelbër në Itali, Angelo Bonelli ka zhvilluar sot një vizitë në Shëngjin për të kontrolluar vijimin e punimeve në qendrat e pritjes së emigrantëve. Por mëngjesi për Bonellin kaloi para portave në pritje të një autorizimi të pakapshëm nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, shkruan La Repubblika.
Deri në drekë, me insistimin e Bonellit, në përputhje me atë që parashikonte shprehimisht protokolli, ambasadori kërkoi të priste deri në mbërritjen e tij në Shëngjin për ta shoqëruar në inspektim.
Gjatë periudhës së qëndrimit në Shqipëri, emigrantët nuk do të mund të dalin nga qendrat: nëse e bëjnë, do të kthehen sërish brenda nga autoritetet shqiptare. Tashmë në nënshkrimin e marrëveshjes mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare, kishin dalë në pah shumë probleme lidhur me respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe europian në menaxhimin e emigrantëve. Por nëntorin e kaluar, Komisionerja Evropiane për Punët e Brendshme, Ylva Johansson, tha se marrëveshja nuk shkel ligjin e Bashkimit Evropian. Marrëveshja do të zgjasë 5 vjet, por mund të shtohet edhe me 5 vite të tjera. Gjithashtu për të pritur emigrantët do të ndërtohet vetëm një qendër. Porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë./ZËRI