Politikë

GJK rrëzon kërkesën e opozitës për pezullimin e ligjit për Komisionet Hetimore

Kërkesa u rrëzua me shumicë votash.

f.t
GJK rrëzon kërkesën e opozitës për pezullimin e ligjit
Foto ilustruese

TIRANË-Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e opozitës për pezullimin e ligjit për Komisionet Hetimore. Vendimi përfundimtar pritet të jepet brenda 30 ditëve. Në njoftimin e Gjykatës thuhet se nuk kishte emergjencë për ta pezulluar ligjin pasi nuk i plotëson kriteret e nenit 45 të ligjit, i cili përcakton se kur kërkesa shqyrtohet me urgjencë nga trupa e Gjykatës Kushtetuese. Por po ashtu, njoftoi se shumë shpejt do të ketë një vendim tjetër që do përcaktojë nëse do të shfuqizohen apo do të lihen në fuqi ndryshimet ligjore të kaluara në Kuvend nga maxhoranca.

"Kërkesa nuk plotëson kriteret e nenit 45 të ligjit në lidhje me pasojat e pariparueshme dhe urgjencën në kushtet kur gjykata ka pranuar kërkesën për përshpejtim dhe gjykimi për themelin e çështjet, pritet të përfundojë së shpejti,"-shkruhet në vendim. 

Neni 45

E drejta për pezullim

1. Gjykata Kushtetuese, kryesisht ose me kërkesë të palës, kur vlerëson se zbatimi i ligjit ose i aktit mund të sjellë pasoja që prekin interesa shtetërorë, shoqërorë ose të individëve sipas rastit, me vendim të Mbledhjes së Gjyqtarëve ose në seancën plenare, urdhëron pezullimin e ligjit ose të aktit. Pezullimi vazhdon derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi.
2. Vendimi për masën e pezullimit i njoftohet organit përkatës që ka nxjerrë ligjin ose aktin, si dhe bëhet publikimi i tij.
3. Gjykata Kushtetuese në çdo fazë të shqyrtimit të çështjes, me vendim në seancën plenare, mund të heqë masën e pezullimit.
4. Gjykata Kushtetuese duhet të shprehet në vendimin përfundimtar për vazhdimësinë ose jo të masës së pezullimit.

NJOFTIMI:

Në datën 27.05.2024 Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim në seancë plenare publike kërkesën e 33 deputetëve të Kuvendit, në cilësinë e subjektit kushtetues jo më pak se një e pesta e deputetëve, me objekt: “Shfuqizimi i ligjit nr. 106, datë 21.12.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”. Pezullimi i zbatimit të ligjit nr. 106, datë 21.12.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit””.

Në lidhje me kërkesën për pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 106, datë 21.12.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, Gjykata, pasi dëgjoi pretendimet e palëve në seancë plenare, vlerësoi se kërkesa për pezullimin e zbatimit të ligjit nuk plotëson kriteret e përcaktuara në nenin 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, në lidhje me pasojat e pariparueshme dhe urgjencën, në kushtet kur Gjykata ka pranuar kërkesën e kërkuesit për përshpejtim dhe gjykimi për themelin e çështjes pritet të përfundojë së shpejti.

Për sa më sipër, trupa e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, me shumicë votash, -Rrëzimin e kërkesës për pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 106, datë 21.12.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”.

BIRN ka mësuar detaje të tjera lidhur me diskutimet në seancë. Përfaqësuesit ligjorë të opozitës argumentuan se ndryshimet e bëra nga PS ishin anti-kushtetuese, ndërsa avokati Marash Logu shtoi se ky ndryshim ligjor i kufizonte të drejtën ligjore pakicës për të kontrolluar ekzekutivin. Po ashtu, sipas tij, vendimmarrja me shumicë votash për çdo kërkesë për provë dhe për çdo dëshmitar që thirret, bën që komisionin ta kontrollojë maxhoranca. Nga ana tjetër, Mimoza Arbi, Drejtore e Shërbimit Juridik në Kuvend, argumentoi se ndryshimet ligjore nuk kanë ndikuar duke u shprehur se dy komisionet e reja hetimore janë ngritur me dakordësinë e të dy palëve.

Ndryshimet në ligj u miratuan muaj më parë nga Kuvendi vetëm me votat e mazhorancës së Kryeministrit Edi Rama, por ato u kontestuan si anti-Kushtetuese në Gjykatë nga deputetë të opozitës. Opozita kishte argumentuar se me ligjin e ri të miratuar vetëm me votat e PS, vështirësohej hetimi parlamentar dhe garantohej mbrojtja për zyrtarët e maxhorancës përballë komisioneve hetimore. /ZËRI

Poll

MOS HUMB