
TIRANË- Është shoqëruar me debate të forta seanca e parë në Gjykatën e Tiranës, ku Lulzim Basha kishte kërkuar që të njiheshin ndryshimet statutore që u morën në Kuvendin e datës 2 Shtator. Shkak për debatet u bë fakti se Gjykata e Tiranës pranoi “Rithemelimin” dhe Gazment Bardhin si palë në proces, gjë e cila u kundërshtua nga grupimi zyrtar i partisë Demokratike, përfaqësuar nga Rezart Kthupi dhe Indrit Sefa.
Ata deklaruan se ishin kundër këtij qëndrimi duke e konsideruar “Rithemelimin” nul. Ndërkohë që Gjykata vendosi pro Berishës dhe Bardhit dhe caktoi datën 25 Tetor për seancën e radhës, ku të gjithë do të jenë pjesë e procesit.
Pjesë nga debatet:
Indrit Sefa: Autorizimi i Rithemelimit është një autorizim nul. Nuk kanë tagër që ata mund t’i kenë për t’u bërë pjesë në proces. Komisioni i Rithemelimit, në dijeninë time, nuk ka personalitet juridik. Si i tillë, nuk mund të lëshojë autorizimi përfaqësimi. Komisioni i Rithemelimit e ka mbaruar mandatin në prill 2022. Nuk ekziston më si koncept Rithemelimi. Është hera e parë që pas gjykimit në Apel, që Rithemelimi vjen si entitet, ndonëse nuk ka mandat. Nuk kanë autorizim për këtë gjykim. Nuk mund të marrësh një autorizim e ta përdorësh për të gjitha llojet e gjyqeve.
Rezart Kthupi: Akti i përfaqësimit, që na paraqitet, është një akt i bërë nga 7 deputetë. Përfaqësimi i partisë me të tretë e ka vetëm kryetari i partisë. Këshilli kombëtar mund ta bëjë delegimin e kësaj kompetence. Nuk jemi në këtë rast. Grupi i deputetëve nismëtare mund të ndjekë të gjithë hapat ligjore deri në përfaqësimin e PD. Këshilli kombëtar nuk mund të zbatojë një kompetencë që nuk e ka.
Çlirim Gjata (përfaqësues i Rithemelimit): Këta hynë si palë e tretë në Apel. U pranuan si palë. Ndërsa tani, ankohen pse duam të bëhemi pjesë si palë e tretë. Unë vlerësoj qëndrimin e gjykatës, që po e shqyrton këtë çështje pa vonesë, sepse iu intereson edhe këtyre. Nëse këta duan ta zvarrisin, në rregull pastaj”.
Gjyqtari i çështjes Niko Rrapi tha se e sheh të nevojshme pjesëmarrjen e të gjitha palëve, pasi kanë interes në zgjidhjen e këtij procesi.
“Gjykata ka vlerësuar se pjesëmarrja e palëve është e nevojshme, pasi kanë interes në zgjidhjen e këtij procesi. Në këtë moment, gjykata nuk gjen asnjë arsye të revokojë vendimi e saj të mëparshëm për thirrjen e palëve në proces si palë të treta.
Në lidhje me kërkesën e PD përfaqësuar nga Këshilli Kombëtar, gjykata vlerëson të legjitimojë praninë e tyre. Në tagër që Këshilli Kombëtar i ka dhënë 7 deputetëve është edhe përfaqësimi në gjykatë. Gjykata vlerëson se vullneti i Këshillit kombëtar ka qenë të përfaqësohet nga 7 deputetë. Këta 7 deputetë kanë të drejtën të zgjedhin një avokat. Në këto kushte, akti i përfaqësimit është konform ligjit.
Në lidhje me palën e tretë, PD përfaqësuar nga Këshilli Kombëtar, gjykata vendos të legjitimojë në proces avokatët Marash Logu dhe Redi Ramaj. Në lidhje me palën e tretë e përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit, gjykata mban parasysh që i referohet një momenti tjetër procedural të PD.
Duke patur parasysh objektin e gjykimit, faktin që ka në objekt ndryshimin e studimeve statutore të shtatorit 2023, gjykata konstaton se autorizimi përkatës nuk përfshin tagra të përfaqësimit”, deklaroi gjyqtari.
Si përfundim pas debateve, Gjykata iu dha kohë të sjellë prokurë përfaqësimi.
“Gjykata i jep kohë avokatëve të Rithemelimit të saktësojnë aktin e përfaqësimit për t’u ligjëruar si palë e tretë në proces. Për të mos zvarritur procesin, gjykata i kërkon palëve të shmangin kërkesat për shtyrje, si edhe të plotësojnë në kohë detyrat e gjykatës”.
Zëri.ai