Politikë

‘Kini durim’, Berisha për rezistencën e opozitës: Deri tani keni parë provat gjenerale

Berisha i ftoi gazetarët që të kenë durim… por nuk dha detaje nëse aksioni i opozitës do të shoqërohet dhe me thirrje për protesta masive nga ana e qytetarëve

E.K
‘Kini durim’, Berisha për rezistencën e opozitës:
Berisha duke folur para gazetareve ne Kuvend

TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka kërkuar durim nga gazetarët dhe mbështësit e PD-së për të parë frytet e aksionit opozitar që ka nisur ditën e sotme në Kuvend, me bllokimin e seancës plenare. Berisha tha se seancë pas seance demokratët do të shpalosin aksionin e tyre të rezistencës, derisa të shkohet drejt fitores.

I pyetur nga gazetarët nëse ishte duke pritur shumë kohë nga opozita që të përfundonte një aksion, Berisha tha se deri tani janë bërë provat gjenerale. Berisha tha se opozita nuk e njeh vendimin e Kuvendit, për të përjashtuar 26 deputetë të opozitës.

“Përfundimi do të jetë fitorja, jo nuk tha njeri që do të jetë djegia e parlamentit, por fikja e dritave nga ana e tyre ishte një akt gangsterësh. Asgjë nuk na përjashton dot ne nga parlamenti, ata mendojnë se na përjashtojnë, edhe 46 po të përjashtohen të jeni të sigurtë që ne nuk dorëzohemi, nuk tërhiqemi. Prisni, durim të keni.

Seancë pas seance, hap pas hapi ne do ju tregojmë këtë. Nuk e njohim vendimin e Kuvendit për të na përjashtuar. Hapat që do të bëjmë do të jenë të sigurta, kjo nuk është një hap sot për nesër, por është një hap sot për fitore. Më parë kanë qenë prova gjenerale”, tha Berisha.

Sipas Berishës, dita e sotme shënon një fillim të ri për opozitën, ndërkohë që e cilësoi Parlamentin fiktiv.

“Kjo ditë shënon një fillim të ri për opozitën, shënon fillimin e qëndresës së saj me të gjitha format e një beteje gjer në mosbindje civile, forma të ndryshme të grevave që duhet të rikthejnë parlamentarizmin dhe votën e lirë. Faktikisht ky Parlament është krejtësisht fiktiv.

Opozita në këtë parlament është një fiktivitet. Janë 6 komisionet hetimore parlamentare që janë refuzuar në shkelje flagrante të Kushtetutës. Janë refuzuar sepse të gjitha çojnë te Edi Rama. është refuzuar hetimi i aferës Rama- McGonigal, është refuzuar hetimi i Ismailit, shpenzimit të 22 milionë euro në më pak se dy vite nga Rama me avion privat.

Nuk është pranuar komisioni hetimor për zbatimin e ligjit të konfliktit të interesit, sepse është Rama personalisht që ka shkelur këtë ligj. është refuzuar komisioni për Portin e Durrësit, ku rezulton se prapa Al Alabbar qëndrojnë bosët e drogës me bitcoin. U refuzua hetimi i Ballës dhe Ramës për zhdukjen e TIMS”, tha më tej Berisha. /Zëri.ai

Poll

MOS HUMB