Politikë

Seanca për Salianjin në GJL më 15 Tetor, avokati tregon si po kalon në burg ish-deputeti: Është mirë!

Ledio Braho tha se kishte depozituar një kërkesë për shtyrje të ekzekutimit të vendimit për arrestimin e tij, edhe pse tashmë Salianji vuan dënimin në burgun e Fierit.

k.m.
Seanca për Salianjin në GJL më 15 Tetor, avokati tregon si po
Ledio Braho

TIRANË- Avokati i ish-deputetit të Partisë Demokratike Ervin Salianji, Ledio Braho shkoi sot në Gjykatën e Tiranës. Jashtë ambienteve të Gjykatës, për gazetarët, Braho tha se kishte depozituar një kërkesë për shtyrje të ekzekutimit të vendimit për arrestimin e tij, por kjo ndodhi para ekzekutimit të vendimit nga Policia e Shtetit. Tashmë Salianji vuan dënimin në burgun e Fierit. Sipas avokatit, pritet tani vendimmarrja e Gjykatës së Lartë tanimë, më 15 Tetor.

“Sot gjykohej kërkesa që është dorëzuar më 27 Shtator paradite, pra përpara se të ekzekutohej vendimi nga zoti Salianji dhe ishte kërkesë për shtyrje të ekzekutimit. Duke qenë se pavarësisht që ligji e njeh që urdhëri të ekzekutohet për 30 ditë, në rastin e zotit Salianji vendimi u ekzekutua në më pak se 24 orë, pra u përdor minimumi që njeh ligji pikërisht për të mos i dhënë mundësinë që ai të bënte kërkesë proceduriale. Duke qenë se urdhëri i ekzekutimit u pranua nga Salianji, kërkesa e sotme ishte pa objekt. Në vijim presim kërkesën që do të gjykohet në Gjykatën e Lartë më 15 Tetor pasi aty mjeti procedurial që është ai i pezullimit, është i pranueshëm për t’u gjykuar.”

I pyetur se si po i përjeton Salianji ditët në qeli, Braho u shpreh se klienti i tij është i qetë dhe pret vendimin final të Gjykatës së Lartë.

"Gjatë takimeve, është i qetë, është një çështje që e zgjodhi vetë që të shkonte e të dorëzohej pavarësisht propozimeve që bëri PD. Normalisht çdo personi kur i kufizohen liritë, e aq më tepër kur bëhet fjalë për një dënim me burgim kanë edhe problematikën e ekzekutimit të vendimit. Ai po vuan një vendim politik, ai do e çojë deri në fund pasi po vuan një dënim politik. Në presim nga Gjykata e Lartë pezullimin e vendimit,"-shtoi avokati. 

Salianji ndodhet në burgun e Fierit prej datës 27 Shtator 2024. Ish-deputeti demokrat u shpall fajtor për veprën penale “kallëzim të rremë publik” dhe Gjykata e Tiranës e dënoi me 1 vit burg. Edhe pse vendimi u ankimua, Gjykata e Apelit të Tiranës nuk e ndryshoi vendimin, duke i prerë fletëarrestin për dosjen "Babale"./ZËRI

Poll

MOS HUMB