
TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka dalë me një ide të re, që deri më tani është hedhur poshtë kategorikisht nga kryedemokrati Sali Berisha. Në një intervistë të dhënë për "Abc", Salianji pretendon se Partia Demokratike duhet ribërë nga e para, me një emër të ri! Gjë që kryedemokrati Berisha s'e ka pranuar kurrë në asnjë dalje televizive që ka bërë pas përplasjes që ka nisur në kampin blu. Madje edhe për këtë të fundit, Salianji ka një opsion. Sipas tij, Berisha nuk duhet të jetë më në krye të partisë së re, por të ketë një post honorifik, vetëm sepse ka mbështetjen e elektoratit opozitar.
Ervin Salianji: Duhet të ribëhemi. Të kemi një rikonceptim në të gjitha dimensionet dhe ta transformojmë PD në një parti moderne duke iu përshtatur nevojave të shoqërisë. Pra parimet mbi të cilat duhet që të ecim dhe pastaj për të gjetur zgjidhen për të kaluar edhe në një emër tjetër. Për fajin e ish-drejtuesit të opozitës ka një perceptim të mirë në publik. Pra duhet të gjejmë edhe një emër të ri. Sali Berisha të jetë pjesë e domosdomshme për shkak të mbështetjes që ka tek elektorati opozitar.
Pas rikthimit të Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike, Berisha u pyet nga gazetarët nëse do të ishte i gatshëm të krijonte një parti të re politike apo do të vijojë betejën ligjore për vulën e Partisë Demokratike.
“Ne nuk mund të na ndryshojë askush emrin. Jemi PD nisim betejën kundër regjimit. Sot kemi një mbledhje të rëndësishme dhe askush nuk mund t’u ndryshojë demokratëve identitetin. Do të përballemi me regjimin dhe Ramën,”- tha Berisha. Ndërsa vendin e tij si kryedemokrati ka qenë "i hapur" ta ndryshojë, vetëm nëse dikush e mund me vota.
Kështu që propozimi i Salianjit, duket si një mision i pamundur për t'u arrirë./Zëri.ai