TIRANË- Kreu i qeverisë Edi Rama do të niset të premten drejt Britanisë së Madhe, ku do të ketë një takim me homologun e tij Rishi Sunak.
Në fokus të vizitës pritet të jetë çështja e emigracionit të paligjshëm të shqiptarëve drejt Britanisë së Madhe, por edhe finalizimi i marrëveshjes mes dy vendeve për transferimin e të burgosurve.
Disa ditë më parë gjatë qëndrimit në Granada ku mori pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Europian, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim të përbashkët me liderët kryesorë të Europës, mes të cilëve edhe kryeministrin britanik.
Në fokus të bisedimit ka qenë lufta kundër grupeve që organizojnë kalimin e emigrantëve në Britaninë e Madhe. Sunak ka pasur në qendër të mandatit të tij si kryeministër luftën ndaj emigracionit të paligjshëm, ndërkohë që të shumta janë rastet e implikimit në trafikimin e tyre dhe të shtetasve shqiptarë.