TIRANË- Shqetësimet e qytetarëve në lidhje me kompaninë e telefonisë celulare “One”, janë bërë prezente sot në Kuvend nga deputeti socialist, Frrok Gjini. Ai tha se do të duhet që Komisioni për Ekonominë dhe Financat ku dhe vetë ai bën pjesë të thërrasë përfaqësues të kompanisë celulare, por edhe të AKEP, në mënyrë që qytetarëve të mund t’iu jepet një zgjidhje, pasi paguajnë për një shërbim që nuk e marrin. Duke marrë si shembull denoncimin që ka bërë Erion Braçe më herët, Gjini tha se dhe vetë deputetëve u janë mbajtur nga një muaj telefonat.
“A është mirë që Komisioni me autoritetin që ka të thërrasë ndonjë përfaqësues të kompanisë, sepse është bërë nj problem shumë i madh apo ndonjë përfaqësues të AKEP-it. Sepse qytetarët po vuajnë shumë me faturat: po i vjedhin, nuk i ofrojnë shërbimet. Pra ka shumë shqetësime.
Nëse e gjykoni të arsyeshme si komision, por kryesisht është “One” ai që është bërë gangrenë tek qytetarët. Kur të shkoni të paguani faturën e telefonit e shikoni realisht se çfarë problemi e kanë njerëzit. Biles, ka dhe deputetë këtu që ia kanë mbajtur telefonat me nga 1 muaj të bllokuar”, u shpreh Gjini.
Në përgjigje të kësaj kërkese, kryetari i komisionit Eduard Shalsi u shpreh se ka deputetë që kanë kërkuar informacion për këtë çështje. Por sipas Shalsit komisioni përgjegjës për kompanitë celulare është komisioni i veprimtarisë prodhuese, me të cilin ra dakord parimisht për të zhvilluar një dëgjesë të përbashkët.
“Me dijeninë që kam unë ka dhe deputetë që kanë komunikuar me kompaninë. Me eksperiencën time si drejtues i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, nuk ka pasur një, por dy. Ne patëm një ballafaqim shumë interesant vite më përpara ku i kërkuam kasa fiskale kompanive celulare. Por është komisioni i Veprimtarive Prodhuese ai që e ka në sferën e tij.
Gjithsesi, shumë faleminderit për ngritjen e shqetësimit, por është kërkuar shpjegimi dhe së bashku me Komisionin e Veprimtarive prodhuese mund të zhvillojmë një dëgjesë të përbashkët”, u shpreh Eduard Shalsi. Shkrirja e Albtelecom dhe One, në tregun e kompanive celulare, solli një seri problematikash te qytetarët, të cilët ankohen qoftë për mbulimin me valë, qoftë për shtrenjtimin e paketave./Zëri.ai