
TIRANË- Lulzim Basha ka reaguar për dënimin e Ervin Salianjit me 1 vit burg nga Gjykata e Apelit. Basha shprehet se ky është një pazar politik mes kryeministrit Edi Rama dhe Sali Berisha. Ai shprehet se Rama i ka dhënë “vulën” Sali Berishës, ndërsa Ervin Salianjin e ka sakrifikuar për të arritur këtë marrëveshje. Më tej, Basha shton se ai nuk feston për arrestimin e Salianjit.
"Burracakët që kanë lëpirë çdo gjë që kanë pështyrë gjatë karrierës së tyre politike, kanë qelbur ekranet me shpifje të ndyra. Ndryshe nga këto vemje politike, që si korbat u turren fatkeqësive politike nga Sali Berisha te Ervin Salianji për të përfitur prej tyre, Lulzim Basha as nuk feston, as gëzon dhe as i përdor. Politikanët reagojnë me akte dhe vendime jo me deklarata të tipit “kurrë me Berishën”, e pastaj presin mëshirën e tij poshtë ballkonit.
Ky lëpirësi që u shfaq sot t’u thotë demokratëve si ka mundësi që të njëjtit gjyqtarë që dënuan Salianjin, i'a dhanë vulën Berishës?
Pse këta gjyqtarët dje ishin heronj e sot u bënë vasalë të Edi Ramës?
Pazari i ndyrë Rama-Berisha, merr vulën-jep Salianjin, nuk mbulohet dot me diarrenë mediatike të këtyre vemjeve politike dhe as të mediave të blera prej tyre", shkruan Basha.
Gjykata e Apelit la më 26 shtator në fuqi vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Tiranës, që e dënoi deputetin e Partisë Demokratike me 1 vit burg, për akuzën e kallëzimit të rremë për dosjen ‘Babalja’. Vendimi i Gjykatës së Apelit i hap rrugë arrestimit të Salianjit, i cili pritet të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme. Salianji humb në mënyrë të menjëhershme mandatin e deputetit, për shkak se vendimi i Apelit ekzekutohet pa vonesa, edhe pse politikani demokrat, mund ta apelojë çështjen në Gjykatën e Lartë. Neni 71, pika 2, shkronja dh, e Kushtetutës, thotë se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
Gjykata e Shkallës së Parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit Fredi Alizoti, Albert Veliun, Jetmir Olldashin si dhe Ervin Salianjin. Në këtë mënyrë merr fund dhe karriera në ngjitje e Salianjit, i cili së fundi ishte caktuar drejtues politik i PD-së për qarkun e Elbasanit. Dënimi e pengon Salianjin që për 5 vitet e ardhshme të ushtrojë detyra publike. /ZËRI