
TIRANË- Pas dënimit me 1 vit burg të Salianjit nga Gjykata e Apelit, Partia Demokratike ka dërguar dosjen e tij për t’u botuar në mediat ndërkombëtare.
Në dosjen e dërguar me 15 pika shpjegohet saga e denoncimeve të cilat nisën në vitin 2018 kur Ervin Salianji publikoi vendimin e formës së prerë të Gjykatës Italiane, i cila kishte dënuar me 7 vite e 4 muaj burg për trafik ndërkombëtar droge vëllain e ish- Ministrit të Brendshëm, Agron (Geron) Xhafaj. Sipas dosjes së dërguar, pas këtyre denoncimeve, Agron (Geron) Xhafaj shkoi në burg në Romë, Itali, ndërsa vëllai i tij, Ministër i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, dha dorëheqjen nga detyra.
Në dosje ndër të tjera sqarohet se "Vendimi për burgosjen e opozitarit Ervin Salianji u bë nga trupa gjykuese, e përbërë nga gjyqtarët Genti Shala dhe Iliba Bezati. Genti Shala është ish-përfaqësues politik i Partisë Socialiste në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve dhe kandidat për anëtar i Gjykatës së Lartë, ku dihen lidhjet e forta të Fatmir Xhafajt".
Gjykata e Apelit la më 26 shtator në fuqi vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Tiranës, që e dënoi deputetin e Partisë Demokratike me 1 vit burg, për akuzën e kallëzimit të rremë për dosjen ‘Babalja’. Vendimi i Gjykatës së Apelit i hap rrugë arrestimit të Salianjit, i cili pritet të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme. Salianji humb në mënyrë të menjëhershme mandatin e deputetit, për shkak se vendimi i Apelit ekzekutohet pa vonesa, edhe pse politikani demokrat, mund ta apelojë çështjen në Gjykatën e Lartë. Neni 71, pika 2, shkronja dh, e Kushtetutës, thotë se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
Gjykata e Shkallës së Parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit Fredi Alizoti, Albert Veliun, Jetmir Olldashin si dhe Ervin Salianjin. Në këtë mënyrë merr fund dhe karriera në ngjitje e Salianjit, i cili së fundi ishte caktuar drejtues politik i PD-së për qarkun e Elbasanit. Dënimi e pengon Salianjin që për 5 vitet e ardhshme të ushtrojë detyra publike.
Ndërsa bashkëngjitur mund të gjeni dosjen në anglisht që iu është dërguar mediave të huaja. /ZËRI