
TIRANË- Këtë të mërkurë sistemi i drejtësisë pritet që të përballet me tre çështje të nxehta, në disa shkallë të tij, që lidhen ngushtësisht me politikën.
Ish-kryeministri Sali Berisha dhe djali i tij Shkëlzen Berisha do të paraqiten të dy përpara gjyqtares së posaçme Irena Gjoka ditën e sotme. Në orën 09:00 do të zhvillohet seanca gjyqësore për dosjen Gërdeci, për të cilën është marrë i pandehur ish-ministri Fatmir Mediu.
Për këtë gjë, do të dëshmojë djali i kryedemokratit, i cili pritet të japë llogari për faksin me mbishkrimin “për Shkëlzenin”. Në seancën e javës së kaluar, Shkëlzen Berisha nuk u paraqit, me pretendimin se SPAK nuk i kishte gjetur adresën për ta njoftuar zyrtarisht.
Dy orë më vonë nga seanca për Gërdecin, në 11:00 do të jetë seanca ku do të caktohet masa e sigurisë për kryedemokratin Berisha. SPAK ka kërkuar ‘arrest shtëpie’ për ish-kryeministrin, nën mbikëqyrje policore. Paralelisht me seancën ku do të njihet me masën ndaj tij, Berisha ka thirrur një protest përpara Gjykatës së Lartë, e cila do të shprehet se kush ka të drejtë ligjërisht për të drejtuar Partinë Demokratike.
Vetë Berisha pritet të qëndrojë në krye të kësaj proteste, ndërkohë që në seancën në GJKKO do të përfaqësohet nga avokatët e tij Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi.
Avokatët e tij kanë kërkuar në seancën e djeshme përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, me pretendimin se kjo e fundit është shkarkuar nga Berisha në kohën kur ai drejtonte KED, në vitin 1996. Megjithë pretendimet e Berishës, vetë gjyqtarja nuk ka dhënë dorëheqjen nga çështja, ndërsa sot pritet që të ketë dhe një vendimmarrje mbi kërkesën e SPAK. Gjokutaj tha dje se kjo që po i bëher Berishës është një hakmarrje e pastër, që synon izolimin e tij politik. /ZËRI