Politikë

Pezull për 2024/ Kuvendi jashtë funksionit, pr.ligjet pezull

Hakerat iranianë dje mbyllën vetëm formalisht faqen e uebit “parlament.al” që prej tetorit, vetëm sa informonte formalisht çfarë do të ndodhte në komisione dhe seancat plenare që përmbylleshin në më pak se 20 minuta.

k.m.
Pezull për 2024/ Kuvendi jashtë funksionit, pr.ligjet pezull
Foto ilustruese

TIRANË- Që Kuvendi i Shqipërisë nuk është më i aksesueshëm, ky nuk është më lajm. Hakerat iranianë dje mbyllën vetëm formalisht faqen e uebit “parlament.al” që prej tetorit, vetëm sa informonte formalisht çfarë do të ndodhte në komisione dhe seancat plenare që përmbylleshin në më pak se 20 minuta. Ashtu kaloi edhe projektbuxheti për vitin 2024 dhe paketa fiskale. Dy nga ligjet më të rëndësishme për vitin që vjen. E gjitha ka nisur që në tetor, kur Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ngrit akuzë zyrtare kundër kreut të opozitës, Sali Berisha.

Fill nisi edhe aksioni i opozitës për të bllokuar fizikisht punimet e Kuvendit të Shqipërisë. Nga dera, apo dritarja, pak rëndësi kishte nga hynin, deputetët e opozitës kishin një qëllim; të bllokonin çdo lëvizte të Kuvendit. Si mbulesë përdorën dhe ende vazhdojnë ta bëjnë, votat kundër që ka dhënë maxhoranca ndaj çdo Komisioni Hetimor që ka kërkuar opozita. Për të shmangur gjithë zallamahinë që po ndodhte në Kuvend, socialistët shkelën ligjin, me pretendimin se po ruanin rendin dhe po iu përmbaheshin afateve për të përmbylllur diskutimet lidhur me projektligjet. Edhe pse nuk jemi në situatë të jashtëzakonshme (luftë dhe/apo pandemi), mbledhjet janë zhvilluar të gjitha online.

Madje ZËRI i ka dedikuar edhe një shkrim orëve të punës që deputetët i dedikuan detyrës së tyre. Megjithatë ka çështje edhe më madhore që ose janë zvarritur, ose kanë kaluar shpejt e shpejt nga socialistët. Më lart përmendëm projektbuxhetin! Në Kuvend, socialistët rrëzuan edhe ato 2 amendamende që kishin propozuar deputetët e PD-së. Po ashtu, kaloi edhe paketa fiskale. Pa u ndjerë, u votua edhe rregulloren e re e Kuvendit, e cila parashikon deri në 60 ditë përjashtim të deputetëve. Me siguri as socialistët që e bënë propozimin rrufe, nuk e kanë lexuar, megjithatë e votuan në Kuvend, vetëm 1 javë pasi publikisht e njoftoi Bledi Çuçi.

Me nisjen e sesionit të ri më 8 janar nuk pritet një situatë më e paqtë! As më e frytshme për qytetarët. Duke përdorur precedentin Berisha dhe sjelljen e opozitës si justifikim edhe shumë ligje të tjera pritet të kalojnë si një kapsitje sysh. Sigurisht që përballja edhe njëherë me demokratët do të përdoret si pretekst.

ZËRI do të sjellë vetëm disa prej projektligjeve (me dëshirë do të publikonim listën e plotë por faqja kryesore e Kuvendit është totalisht jashtë funksionit).

Ligji për zonat e mbrojtura

Deputetët e mazhorancës propozojnë ndryshime që do t’i hapin rrugë investimeve që do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik të këtyre zonave që duhet të jenë të mbrojtura nga shteti. Jo të investuara, jo të prekura nga betoni dhe ndërtimet. Drafti kërkon ndryshime edhe për “Parqet Kombëtare”, si zonat me kategorinë më të lartë të mbrojtjes, duke parashikuar të bëhen përjashtime në ato raste kur Këshilli Kombëtar i Territorit, ministria përgjegjëse apo bashkitë mendojnë se investimi është me rëndësisë kombëtare. Që ky projektligj do të kalojë në Kuvend nuk ka asnjë dyshim, dyshimi i vetëm është kush do ta bëjë opozitën? Si do ndalohet ky ndryshim ligjor kur opozitë në Kuvend nuk ka?

Ligji për emigrantët

Në janar, Gjykata Kushtetuese do të zhvillojë seancën e parë për padinë e dorëzuar nga deputetët e opozitës për marrëveshjen e lidhur mes Italisë dhe Shqipërisë. Në rast se e shohin si të drejtë akordin mes dy qeverive, na mbetet vetëm të hamendësojmë sa minuta do duhet për të kaluar në Kuvend.

Avokati i Popullit

Tradicionalisht, Avokati i Popullit zgjidhet nga opozita dhe maxhoranca thjesht bashkon votat. Kështu ka ndodhur me mirëkuptim mes palëve që prej kohës kur Shqipëria u bë një vend pluralist. Me këtë situatë ku ndodhemi, duket se do të ndodhë e kundërta. Maxhoranca do ta kalojë vetë emrin e ri që do të zëvendësojë Erinda Ballancën.

Reforma Zgjedhore

Më e paqartë është mënyra sesi do të veprohet për të mbledhur ‘trupin’ e Refomës Zgjedhore. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi në një komunikim për mediat ka bërë me dije se do të jetë prioritetet e deputetëve socialist për sesionin e ri parlamentar, por presin vetëm konsensusin e opozitës për t’i miratuar. Edhe këtë detyrë më shumë gjasa do ta ‘mbyllin’ socialistët.

Ahmetaj humb mandatin

Në korrik të këtij viti, ishte hera e fundit që ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj u pa në publik. Në kushtet kur është ende deputet i Kuvendit të Shqipërisë, çështja e tij do të rikthehet edhe njëherë për diskutim në parlament. Edhe pse me rol jo direkt, Kuvendi do të duhet të gjejë zëvendësin e tij pasi me mbylljen e dhjetorit, e nisjen e vitit të ri, i digjet edhe mandati. Siç e parashikon çfarë rregullorja e Kuvendit (ligjin nuk e nxjerrim dot sepse faqja është sulmuar) nëse një deputet neglizhon detyrën për 6 muaj, pa një arsye, humb mandatin. Procedura do të kryehet e gjitha nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe pasardhësi/pasardhësja e tij në sallë do të bëjë veç betimin. Por do mjaftojë sa për të rindezur edhe njëherë diskutime mes palëve. Gjithmonë nëse janë në sallë.

Veçse ndryshimi është i madh! Për deputetët, mungesa u kushton rrogën, ndërsa për qytetarët vite nga jeta e tyre dhe të ardhmen e vendit. Si me hackerat iranianë, si me aksionet opozitare, përfundimi është një; Kuvend nuk ka!/ZËRI

Poll

MOS HUMB