TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka sfiduar sërish, Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar duke futur në banesë politikanin gjerman, Elmar Brook, i cili kishte ardhur për të përshëndetur protestuesit që mbajnë tubim çdo natë poshtë dritares së Berishës. Elmar Brok, më herë ka mbajtur dhe detyrën e kryetarit të Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian. Ky i fundit doli në dritare bashkë me Berishën dhe përshëndetën militantët që protestonin.
Kjo nuk është hera e parë që Sali Berisha shkel vendimin e Gjykatës së Posaçme, e cila pas kërkesës së SPAK e ka lënë në masën e sigurisë "Arrest shtëpie". Pavarësisht se nuk i lejohet të dalë nga banesa apo të takojë persona të tjerë jashtë familjes, Berisha mban çdo natë fjalimet nga dritarja e banesës, fut brenda personelin teknik që kujdest për audion e tubimeve si dhe pak ditë më parë dha një intervistë për gazetarin italian në emision "Report", në Rai3.
Sali Berisha ndodhet në masën e sigurisë "Arrest shtëpie", dhënë nga Gjykata e Posaçme, pasi Berisha refuzoi të respektonte masën më të lehtë të sigurisë të dhënë më herët nga GJKKO, atë të "Detyrimit të paraqitjes". Berisha akuzohet për korrupsion pasiv në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit sportiv "Partizani". Po në "Arrest shtëpie", ndodhet dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi. Ky i fundit akuzohet për "Korrupsion aktiv", dhe "Pastrim parash". Berisha dhe më herët ka kërkuar përjashtimin nga gjykimi të Irena Gjokës, por dhe leje për të shkuar në Kuvend, të dyja janë hedhur poshtë./ZËRI