
TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha komentoi votimin e rritjes së pagave për punonjësit dhe drejtuesit në Bashkinë e Fierit. I pyetur se përse në këtë votim kishin marrë pjesë edhe këshilltarët e Partisë Demokratike, Berisha u shpreh se ishte një gabim i rëndë. Në konferencën për shtyp me gazetarët, Berisha tha se këshilltarët opozitarë kishin votuar në kundërshtim me direktivat e Partisë Demokratike.
"Ata që kanë votuar për rritjen e rrogës së Subashit, ata kanë bërë një gabim të rëndë dhe kanë votuar në kundërshtim me programin e PD. PD e ka shpallur të qartë se, nuk rrit rrogat e larta. Ndaj dhe kanë vepruar në kundërshtim me direktivën e partisë. Ne jemi të hapur për koalicion dhe bashkëpunim me çdo force politike që konsideron narkodiktaturën e Edi Ramës, të keqen më të madhe të këtij vendi. Çdo forcë politike ka të drejtën e vet të përzgjedhë aleancat. Natyrisht këto krijimet para zgjedhjeve kanë një qëllim padyshim, por PD është forcë kryesore opozitare dhe besoj se shqiptarët do të dallojnë midis opozitës së të vërtetës dhe atyre të tjerëve që në një mënyrë apo një tjetër, përpiqet ti bëjnë fresk Edi Ramës,"-tha në fjalën e tij kryedemokrati.
Armando Subashi, kryetari i Bashkisë Fier, pak ditë më parë vendosi që të rriste pagën e tij me 88% duke zgjedhur kufirin maksimal prej 2 milionë e 900 mijë lekësh të vjetra. Vendimi është marrë pasi Vendimi i Këshillit të Ministrave përcaktoi kufirin e ri për kryetarët e bashkive dhe të administratës. Por Subashi nuk është i vetmi. Para tij, Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako rriti pagën e saj mujore me 56,7 %, duke e çuar nga 1.8 milionë lekë të vjetra në 2.9 milionë lekë. Nga rritja përfituan dhe tre zëvendëskryetarët e tjerë, Renis Mullaj, Elio Jani dhe Gentian Kallmi./ZËRI