
FIER- Armando Subashi, kryetari i Bashkisë Fier ka vendosur të rrisë pagën e tij me 88% duke zgjedhur kufirin maksimal prej 2 milionë e 900 mijë lekësh të vjetra. Vendimi është marrë pasi Vendimi i Këshillit të Ministrave përcaktoi kufirin e ri për kryetarët e bashkive dhe të administratës.
Pak kohë pas këtij vendimi, Subashi vendosi të rrisë pagën e tij, me një vendim të miratuar unanimisht në mbledhjen e këshillit bashkiak. Edhe për tre nënkryetarët e kësaj bashkie, Adela Hysenaj, Andius Olldashi dhe Eleni Gjikondaj, paga u rrit me 78%.
Më parë ata merrnin 1 milion e 26 mijë lekë pagë në muaj, por tani do të marrin 2 milion e 25 mijë lekëve të vjetra. I njëjti vendim vlen edhe për 13 administratorët e njësive administrative, por këtyre të fundit u është rritur paga me vetë 22%.
Por Subashi nuk është i vetmi. Para tij, Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako rriti pagën e saj mujore me 56,7 %, duke e çuar nga 1.8 milionë lekë të vjetra në 2.9 milionë lekë. Nga rritja përfituan dhe tre zëvendëskryetarët e tjerë, Renis Mullaj, Elio Jani dhe Gentian Kallmi.