
TIRANË- Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka dhënë një intervistë nga qelia e burgut 313 në Tiranë. I pyetur në lidhje me qëndrimin e ashpër ndaj ish-bashkëshortes, Monika Kryemadhi, Meta tha se qëndrimet e tij për çështje parimore janë të prera. Ai tha qëndrimet mediatike të deputetes së PL-së janë pjesë e mbrojtjes së saj, gjë që nuk i shërbejnë atij.
Pse keni një qëndrim të ashpër ndaj ish-bashkëshortes tuaj dhe nuk e pranoni as ta takoni, kur ajo u ka thënë hapur prokurorëve të merren me të, jo me ju. Pra në një farë mënyrë ka marrë autorësinë e gjërave?
Ilir Meta: Qëndrimet mia për çështje parimore janë të prera dhe pakompromis. Lidhur me përgjegjësitë ligjore ato janë individuale dhe jo kolektive apo të transferueshme. Qëndrimet e saj mediatike dhe ligjore janë pjesë e konceptit të mbrojtjes së saj për mbrojtjen dhe nuk më shërbejnë aspak mua. Ajo që më shërben dhe më duhet mua është e vërteta dhe ajo është me mua.
Ilir Meta akuzohet për tre vepra penale: për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Të njëjtat akuza rëndojnë edhe ndaj Monika Kryemadhit. Ndaj Piro Xhixhos, babai i Erisa Xhixhos, rëndon akuza korrupsion pasiv, ndërsa ndaj Ema Çokut rëndon akuza e pastrimit të parave. /ZËRI