
TIRANË- Dalin rezultatet e para nga mbledhja e Konferencës së Kryetarëve në Kryesinë e Kuvendit. Burime për ZËRI bëjnë me dije se Partia Socialiste dhe ajo Demokratike kanë rënë dakord për ngritjen e 2 Komisioneve Hetimore. Bëhet fjalë për ngritjen e një komisioni për sterilizimin e seteve kirurgjikale, ndërsa tjetri do të shqyrtojë rrjedhjen e të dhënave të qytetarëve dhe ndërhyrja në sistemin TIMS.
Po ashtu në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve është rënë dakord për ngritjen e një nënkomisioni për Reformat, që do të përbëhet nga 4 anëtarë, dy nga secila palë.Konferenca e Kryetarëve ka arritur gjithashtu dakortësinë në parim për një tjetër çështje që shkaktoi bllokimin e veprimtarisë normale të Kuvendit, që ishte përfaqësimi me ato që opozita cakton vetë në proceset e Reformave. Nënkomisioni është përgjegjës për diskutimin/shqyrtimin e paketave ligjore, reformave dhe ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar apo ligjeve që kërkojnë gjithëpërfshirje, përfshirë ligjet që janë të nevojshme për procesin e integrimit europian.
Në këtë mënyrë nxirret jashtë loje dhe Komisioni për Reformën Zgjedhore, mandati i të cilit përfundon në fund të këtij muaji. Kryeministri Edi Rama paralajmëroi pak ditë më parë nga Shkodra, se afati i tij nuk do të shtyhet. Në një konferencë për mediat, pas konferencës së kryetarëve, Gazment Bardhi u shpreh se një prej anëtarëve të këtij nënkomisioni do të jetë Oerd Bylykbashi, ndërsa tjetri do të zgjidhet nga grupi parlamentar. Bardhi e përjashtoi veten e tij nga ky rol. Të katër anëtarët, që do të zgjidhen nga dy për secilën palë, do të kenë të drejtën e vetos për Reformat. /ZËRI