
TIRANË- Argita Malltezi, vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha, ka dalë në një deklaratë të përbashkët për shtyp me avokatët mbrojtës të tij, ku ka renditur shkeljet që sipas saj janë bërë nga SPAK gjatë hetimeve. Malltezi u shpreh se babai dhe bashkëshorti i saj janë duke u mbajtur nën masën e arrestit të shtëpisë pa prova, dhe se hetimi ndaj tyre është nisur në bazë të një kallëzimi të rremë sipas saj.
“Sali Berisha dhe Arbi Malltezi janë në burg pa asnjë provë apo dëshmi që të tregojë se kanë kryer një rol në atë që njihet si çështja Partizani. Masa e arrestit me shtëpi ka për qëllim goditjen e opozitës, për qëllimet e vetë pushtetit. Çështja nisi nëpërmjet diktatit politik, teksa Taulant Balla bëri një kallëzim penal, që ngriti disa pretendime, që SPAK më pas tha se janë akuza të vlefshme.
Balla ka bërë kallëzim të rremë, ne e kemi kallëzur dhe SPAK nuk ka nisur procedim penal. Në çdo moment që Rama ka bërë presion ndaj SPAK për marrjen të pandehur të Sali Berishës apo familjes së tij, SPAK ka intensifikuar hetimet”, deklaroi Malltezi, ndërkohë që më pas renditi të gjitha hapat e ndjekura nga Malltezi për marrjen e pronës, që i përkiste ish-familjes së tij.
Ajo u shpreh se SPAK po përpiqet të krijojë një tymnajë në lidhje me detaje të dosjes. Ajo theksoi se si pasojë e privatizimit, nuk ka pasur dëme financiare në buxhetin e shtetit.
“SPAK pretendon se pronarët u kujtuan për pronat pas 2005, në fakt pronarët e kërkuan që në ‘93. SPAK i ka pasur në dosje. U është dhënë e drejta e parablerjes, ka nisur pjesërisht kthimi i pronës. Privatizimi i ndërtesave të klubit Partizani, që ishte detyrim ligjor, neni 7 i ligjit për pronat parashikonte pronat që nuk tjetërsoheshin. Por kishte një paragraf, që kur tjetërsoheshin automatikisht i ktheheshin pronarëve. Kjo ka ndodhur në 2005 nga qeveria socialiste.
Tymnaja që përpiqet të krijojë SPAK, tregon që klubi ka qenë jashtë funksionin. Një të akomodonte sportin dhe e dyta të gjeneronte të ardhura për shtetin. Klubi ka qenë në pjesën më të madhe nga banorë informalë. Shfrytëzohej edhe informalisht nga biznese private. Shteti nuk merrte të ardhura, nuk ka asnjë dëm financiar nga privatizimi, përkundrazi pas privatizimit mori 800 mijë dollarë. I vetmi dëm në financat e shteti ka qenë mosveprimi i Ramës për moszbatim të lejes së ndërtimit që e dha vetë”, vijoi Malltezi gjatë fjalës së saj.
Të njëjtin qëndrim me Argita Malltezin mbajti dhe avokati Genc Gjokutaj, i cili tha se Berisha po mbahet nën arrest, dhe po pengohet që të bëjë detyrën e tij si deputet, pa prova. Gjokutaj tha se ata i kanë kërkuar gjykatës që ai të jetë i pranishëm në Kuvend, pavarësisht masës së sigurisë që është dhënë ndaj tij. /ZËRI