Politikë

Gjiknuri dhe Alibeaj ranë dakort, përfaqësuesja e OSBE: Mirëpresim rifillimin e punës të premten

Pas takimit, Pasztory ka deklaruar se misioni i OSBE-së mirëpret rifillimin e puën për Zgjedhoren, ndërsa ka ofruar dhe mbështetjen për realizimin e saj.

E.K
Gjiknuri dhe Alibeaj ranë dakort, përfaqësuesja e OSBE:
Foto nga takimi

TIRANË- Përfaqësuesja e OSBE-së në Tiranë Clarisse Pasztory është takuar këtë të hënë me dy bashkëkryetarët e Komisionit për Reformën Zgjedhore, konkretisht Damian Gjiknuri nga Partia Socialsite dhe Enkelejd Alibeaj nga Partia Demokratike (zyrtare). Pas takimit, Pasztory ka deklaruar se misioni i OSBE-së mirëpret rifillimin e puën për Zgjedhoren, ndërsa ka ofruar dhe mbështetjen për realizimin e saj.

“Takova sot b/kryetarët e komisionit të ref. zgjedhore Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj. Mirëpres rifillimin e punës të premten & përshpejtimin e saj javët e ardhshme, me ndihmë e ekspertizë nga OSBE-ODIHR. Vijojmë takimet gj/përfshirëse për këtë reformë të rëndësishme”- shprehet përfaqësuesja e OSBE.

Pas takimit ka reaguar dhe Sekretari i Përgjithshëm i PD-së zyrtare Enkelejd Alibeaj. Ai shprehet se ka siguruar Pasztory, se Reforma Zgjedhore është prioritet i Partisë Demokratike dhe se duhet të jetë gjithëpërfshirëse. 

Enkelejd Alibeaj: Sot pata kënaqësinë të mirëprisja në një takim Ambasadoren në Detyrë të Prezencës së OSBE/ODIHR në Shqipëri Znj. Clarisse Pasztory së bashku me një delegacion, për të bashkëbiseduar mbi procesin e Reformës Zgjedhore, i cili mbetet jetik për demokracinë e vendit. Në cilësinë e bashkë-kryetarit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore i shpreha konsideratën për mbështetjen permanente të Prezencës së OSBE në Shqipëri mbi procesin e Reformës Zgjedhore, në përputhje me frymën e parimeve kushtetuese, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Po ashtu, i sigurova se për Partinë Demokratike të Shqipërisë, Reforma Zgjedhore përbën prioritetin kryesor i cili duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent për shqiptarët, në mënyrë që t’i garantohet qytetarëve shqiptarë një proces zgjedhor i lirë dhe i drejtë, nëpërmjet listave të hapura, një zonë kombëtare zgjedhore, votim për qytetarët shqiptarë në diasporë dhe proces votimi dhe numërimi elektronik. Gjithashtu e falenderova Znj. Pasztory për konsistencën në mbështetjen e vazhdueshme të Prezencës së OSBE në Shqipëri mbi Reformën Zgjedhore dhe për ofrimin e vyer të asistencës teknike në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore.

Komisioni për Reformën Zgjedhore është kthyer në një “mollë sherri”, jo vetëm mes socialistëve dhe demokratëve, por dhe vetë brenda këtyre të fundit. Komisioni i afirmuar më herët për Reformën Zgjedhore, me Enkelejd Alibeaj bashkëkryetar Komisioni krah Damian Gjinkurit, hasi në kundërshtinë e Gazment Bardhit, i cili kërkoi një riformatim të Komisionit, por një marrëveshje e “minutës së fundit” mes Damian Gjiknurit dhe Enkelejd Alibeajt, nuk pranoi kërkesat e Bardhit dhe grupit të Berishës, duke bërë që Komisioni për Reformën Zgjedhore të nisë punë të premten, me anëtarët e konfirmuar më herët dhe me Enkelejd Alibeaj bashkryetar krah Damian Gjiknuri./ZËRI

Poll

MOS HUMB