
TIRANË- Britania e Madhe, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të treja u falenderuan dje nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha për ndërmjetësimin e kryer lidhur me Reformën Zgjedhore. Por sot, deklarata e tij u përgënjeshtrua si nga BE, ashtu edhe SHBA. Të dy palët në një prononcim për 'Neës24', sqarojnë se nuk kanë marrë pjesë në asnjë negociatë për dialog mes palëvë, ndryshe nga sa pretendoi dje Basha. Sipas tyre, takime ka pasur me bashkëkryetarët, por nuk kanë zhvilluar asnjë negociatë. Por megjithatë edhe njëherë theksuan rëndësinë për procedimin me punimet për Reformën Zgjedhore. Pas tyre, edhe ambasada e britanike në Tiranë mohon të ketë ndërmjetësuar ndonjë marrëveshje politike ndërsa bën thirrje për nxitjen e dialogut.
Ambasada e SHBA: Si pjesë e angazhimit tonë normal diplomatik me anëtarë të parlamentit, Ambasada e SHBA takohet rregullisht me kryetarë, bashkëkryetarë dhe anëtarë të komisioneve të ndryshme parlamentare, përfshi Komisionin për Reformën Zgjedhore. Takimet nuk janë pjesë e ndonjë ndërmjetësimi. Interesi ynë mbetet për qeverisje të efektshme dhe përfaqësuese për të zbatuar rekomandimet e ODIHR-it dhe mirëpresim idetë e të gjitha partive të përgjegjshme për këtë qëllim.
Ambasada e BE: Në përgjigje të raportimeve që qarkullojnë në media, dëshirojmë të sqarojmë se ndërkohë që BE-ja nuk është e përfshirë në asnjë ndërmjetësim, qëndrimi ynë mbetet i njëjtë: vazhdojmë të theksojmë nevojën për të ndjekur rekomandimet e OSBE/ODIHR. Siç e kemi thënë edhe më parë, përfshirë edhe Raportin e vitit 2023 për Shqipërinë, reforma zgjedhore kërkon dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës të të gjitha palëve.
Ambasada Britanike: Ambasada britanike në Tiranë ka mbështetur gjithmonë aspiratat shqiptare për një parlament dhe demokraci funksionale. Kjo kërkon struktura që u mundësojnë qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre të zgjedhur të hartojnë ligje, ta detyrojnë qeverinë të japë llogari dhe të debatojnë mbi çështje të rëndësishme, për të pasqyruar interesat e qytetarëve. Kjo përfshin zbatimin e plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet. Ne mirëpritën thirrjen e Shkëlqesisë së tij, Presidentit, ditën e djeshme për një parlament aktiv, i cili e mban përgjegjës ekzekutivin përmes kërkesës së vazhdueshme për transparencë dhe llogaridhënie dhe për ta zëvendësuar konfliktin politik me bashkëpunim konstruktiv. Ne u bëjmë thirrje të gjithë politikanëve ta dëgjojnë këtë mesazh. Ndërsa nuk kemi ndërmjetësuar ndonjë marrëveshje politike, ne vazhdojmë të nxisim dialogun reciprokisht respektues dhe kontruktiv në mirëbesim mes atyre që dëshirojnë ta përfaqësojnë popullin shqiptar. Kjo është në interesin kombëtar dhe gjithashtu vendimtare për besimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe investimeve të huaja, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët.
Ndërsa sot, duke parë reagimet e ndërkombëtarëve, edhe vetë Basha e ktheu "pllakën" duke u shprehur se Bashkimi Europian nuk ka ndërhyrë në procesin e negocimit, duke ua kaluar 'topin' mediave. Sipas tij, ndërhyrja nga BE është aluduar nga media, kur në të vërtetë ishte vetë Basha dje që e zbuloi këtë fakt para gazetarëve në Kuvendin e Shqipërisë.
Reagimi i PD-së së drejtuar nga Lulzim Basha: Në përgjigje të raportimeve që qarkullojnë në media, dëshirojmë të sqarojmë se ndërkohë që BE-ja nuk është e përfshirë në asnjë ndërmjetësim, qëndrimi ynë mbetet i njëjtë: vazhdojmë të theksojmë nevojën për të ndjekur rekomandimet e OSBE/ODIHR. Siç e kemi thënë edhe më parë, përfshirë edhe Raportin e vitit 2023 për Shqipërinë, reforma zgjedhore kërkon dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës të të gjitha palëve.
Pas reagimit zyrtar të PD-së, edhe Basha vetë ka komentuar deklaratat e tij të djeshme, por me një ndryshim. Sot, ndërkombëtarët i falenderoi vetëm për mbështetjen dhe jo për 'drejtimin' e negociatave.
Lulzim Basha: Në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë përsëris mirënjohjen time për mbështetjen që partnerët strategjikë të Shqipërisë, SHBA, BE dhe MB si edhe OSBE-ODIHR i japin procesit të reformës zgjedhore në Shqipëri. Falë edhe kësaj mbështetje, pas një periudhe të gjatë heshtjeje, Komisioni për Reformën Zgjedhore pritet të nisë punën së shpejti. Listat e hapura, barazia e votës, vota e diasporës dhe votimi dhe numërimi elektronik janë prioritetet e Partisë Demokratike të mishëruara në paketën e propozimeve ligjore të depozituara në Kuvendin e Shqipërisë. Koha për t'ju dhënë shqiptarëve një Kod Zgjedhor pa hile dhe pengesa për lirinë dhe barazinë e votës!
Por çfarë tha dje kryedemokrati?
Kreu i Partisë Demokratike (të vulës), Lulzim Basha tha se maxhoranca dhe deputetët që e mbështesin e kanë gjetur "gjuhën e përbashkët" për nisjen e punës për Refomës Zgjedhore. Sipas tij, e gjitha ka ndodhur në bashkëpunim me aleatët strategjikë të Partisë Demokratike, pra ndërkombëtarët./ZËRI