Politikë

Berisha kërkesë GJKKO: Më lini të shkoj në Kuvend

Kërkesa është bërë sot nga avokatët Sokol Mëgjezi dhe Genc Gjokutaj, por do të duhet pak ditë që të marrë përgjigje.

k.m.
Berisha kërkesë GJKKO: Më lini të shkoj në Kuvend
Sali Berisha

TIRANË- Avokatët e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha kanë depozituar sot në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar një kërkesë për lirimin e klientit të tyre nga "arrest shtëpie". Kërkesa është bërë ditën e djeshme nga avokatët Sokol Mëgjezi dhe Genc Gjokutaj, por do të duhet pak ditë që të marrë përgjigje. Sipas mbrojtjes, ish-kryeministri kërkon leje që të marrë pjesë në punimet e Kuvendit, duke qenë se dje nisi sesioni i ri parlamentar. Ndaj dhe shtoi se pjesëmarrja e tij në sallë është një e drejtë si deputet i Partisë Demokratike, por edhe detyrim kushtetues për t'ju shërbyer votuesëve të tij. 

Argumenti i mbrojtjes:

Me Vendimin nr. 112, datë 20.10.2023, Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masat e sigurimit të “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, parashikuar respektivisht nga nenet 233 dhe 234 K.Pr.Penale ndaj deputetit z. Sali Berisha. Me Vendimin nr. 117, datë 26.10.2023, Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur vijimin e masave së sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, ndaj deputetit z. Sali Berisha. Me Vendimin nr. 56, datë 21.11.2023, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka miratuar vendimet nr. 112, datë 20.10.2023 dhe nr. 117, datë 26.10.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar përsa i përket z. Sali Berisha. Me Vendimin nr. 520 datë 30.12.2023, Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur zëvendësimin e masave të sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” me masën shtrënguese të sigurimit personal “arrest në shtëpi”.

Për ekzekutimin e vendimit të sipërcituar është ngarkuar Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfaqësuar nga prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai. Ky vendim është ekzekutuar po në datën 30.12.2023. Për mbikëqyrjen dhe zbatimin e masës së sigurimit “arrest në shtëpi” është caktuar Prokuria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Në kushtet kur z. Sali Berisha është deputet i Kuvendit të Shqipërisë i zgjedhur nga sovrani, është e domosdoshme që të ushtrojë funksionet e tij si Deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Për këtë arsye duke qënë se ju jeni organ procedues, kërkojmë nga ana juaj miratimin dhe dhënien e lejes që z. Berisha në mënyrën dhe kohën që është aboslutisht e domosdoshme të shkojë, të marrë pjesë dhe të ushtrojë funksionet e tij në seancat plenare të Kuvendit të Shqipërisë, në përmbushje të të drejtave lirive politike të parashikuara nga Kushtetuta e vendit, por edhe të përmbushë detyrimet e veta kundrejt elektoratit që e ka zgjedhur.

Kërkojmë që të merret në konsideratë nga ana juaj kjo kërkesë jona legjitime dhe nëse e konsideroni të arsyeshme të përcaktoni edhe modalitet e lëvizjen së z. Berisha nga banesa në sallën e sancave plenare si dhe kohën e nevojshme për të realizuar këtë lëvizje vetëm për të marrë pjesë në sallën e sancave plenare ku zhvillon punimet Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Tani mbetet në dorën e prokurorëve Arben Kraja e Enkeleida Millonai për të pranuar ose jo kërkesën, edhe pse Berisha deri më tani nuk ka qenë "shembullor" në vuajtjen e dënimit. Që prej datës 30 dhjetor kur u caktua në arrest shtëpie, kryedemokrati ka mbajtur disa fjalime nga dritarja e banesës së tij, kur i lejohet që të komunikonte vetëm me familjarët e tij.

Sali Berisha akuzohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim në aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani. Pasi Berisha nuk e respektoi masën e sigurisë "Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, GJKKO e konvertoi masën në "Arrest shtëpie" me kërkesë të SPAK. Më herët për dosjen “Partizani” është arrestuar dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i cili më pas u lirua nga burgu nga Gjykata e Apelit të Posaçëm dhe u la në “Arrest shtëpie”./ZËRI

Poll

MOS HUMB