
TIRANË- Menjëherë pas bashkërendimit të qëndrimeve me grupin e Sali Berishës, Gazment Bardhi në cilësinë e kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, i ka dërguar një letër kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, ku i kërkon ndryshimin e përbërjes së komisionit për Reformën Zgjedhore. Bardhi ka kërkuar që ndryshimi i përbërjes së këtij komisioni të futet që sot në rendin e ditës të seancës në Kuvend, që pritet të nisë rreth orës 10:00.
Në kërkesën që i ka dërguar Nikollës, Bardhi argumenton se ndryshimi i përbërjes së komisionit është një domosdoshmëri, pasi në përbërje ka emra të cilët e kanë dorëzuar mandatin e deputetit me shumë se një vit më parë. Gjithashtu, ai thotë se puna në atë komision ka qenë joefiçiente, dhe Reforma Zgjedhore mbetet një nga prioritetet e klasës politike në Shqipëri.
“Për një vit e gjashtë muaj, janë zhvilluar vetëm dy mbledhje, duke bllokuar çuarjen përpara të kësaj reforme të rëndësishme për vendin”, thuhet në kërkesën e Bardhit.
Gazmend Bardhi propozon bashkëkryetar të komisionit për reformën zgjedhore, Oerd Bylykbashin, ndërsa si anëtarë deputetët Dhurata Çupi, Dashnor Sula, Ervin Salianji, Lindita Metaliaj, Tomor Alizoti, Fatmir Mediu, Shpetim Idrizi dhe Petrit Vasili.
Emrat u dakordësuan gjatë takimit të përbashkët që deputetët e opozitës patën në qytetin e Kukësit, ku nuk morën pjesë Basha dhe deputetët rreth tij. Bardhi kërkon kështu largimin e Enkelejd Alibeajt nga Komisioni për Reformën Zgjedhore, dhe zëvendësimin e tij nga Bylykbashi, i cili është një emër i njohur për çështjet zgjedhore në PD.
-
PD ngre grup për Zgjedhoren/ AP? Bardhi: SHBA dhe BE duan emër
19 Shtator, 13:06
Grupimet e Berishës dhe Bardhit kanë rënë dakord që të unifikojnë qëndrimet e tyre paralamentare, edhe pse deri tani nuk kanë një emër për kryetarin e PD-së, ndërkohë që Basha pretendon se është ai drejtuesi i partisë më të madhe të opozitës.
Ndërkohë që deri tani nuk ka një përgjigje nga Nikolla, sa i takon shkresës së Bardhit. Sipas procesverbalit të Kuvendit, në rend për t’u votuar sot janë disa projektligje për fondet e pensionit privat, për shtetësinë, për Gjykatën Kushtetuese, projektvendimi për zgjatjen e afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore etj.
Pas miratimit të projektligjeve do të ketë diskutime për çështje jashtë rendit të ditës. /Zëri.ai