
NEW YORK- Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama drejtoi Debatin e Hapur të Nivelit të Lartë në Këshillin e Sigurimit, ku u fol kryesisht për Ukrainën, por edhe për ruajtjen e paqes e sigurisë në botë.
Rama, teksa drejtoi debatin, kishte edhe një polemikë të hapur me ambasadorin rus në OKB, Vassily Nebenzia. Ky debat ka marrë edhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
Reuters shkruan se presidenti ukrainas Volodomyr Zelenskyy u ndalua të fliste në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke u kundërshtuar pikërisht nga ata që kanë pushtuar Kievin.
Kryeministri Edi Rama, që drejtonte mbledhjen e tensionuar, u përgjigj ashpër ndaj Moskës, duke u shprehur se Zelenskyy do të heshtë, në rast se Rusia ndalon së pushtuari Ukrainën. Moska pretendon nga ana tjetër se në Ukrainë nuk ka pushtim, por vetëm një “operacion ushtarak”.
FoxNews shkruan se kryeministri shqiptar Edi Rama ka kritikuar përpjekjet e Rusisë për të bllokuar presidentin ukrainas, Zelenskyy, në mënyrë që ky i fundit të mos flaës në Këshillin e Sigurisë në Kombet e Bashkuara në New York.
Rama tha se njoftimi për urdhrat e fjalimit ishte dhënë paraprakisht dhe çdo kundërshtim duhej të ishte ngritur paraprakisht.
“Dua të siguroj kolegët tanë rusë dhe të gjithë këtu se ky nuk është një operacion special i presidencës shqiptare”, tha Rama, duke iu referuar formulimit të Moskës për pushtimin e saj në Ukrainë.
Associated Press raporton se kryeministri shqiptar Edi Rama këmbënguli se Zelensky meriton që të respektohet, duke përmendur rregullin e Këshillit të Sigurisë në OKB, se përfaqësuesi i një vendi joanëtar duhet të flasë i pari.
Qëndrimin e kryeministrit Edi Rama në OKB e ka vlerësuar edhe presidenti ukrainas, Volodymir Zelensky. Kreu i shtetit ukrainas vlerësoi Ramën, duke u shprehur se kryeministri shqiptar i tregoi botës sesi duhet të trajtohet Rusia.
Dear @EdiRamaal, today at the UNSC you showed the world how to correctly handle Russia, its lies, and its hypocrisy. I thank you for steering the Presidency in such a principled manner. pic.twitter.com/0wKca8xZon
— Volodymyr Zelenskyy / Володимир Зеленський (@ZelenskyyUa) September 20, 2023
“I dashur Edi Rama, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ju i treguat botës se si ta trajtojë saktë Rusinë, gënjeshtrat dhe hipokrizinë e saj. Ju falënderoj që e drejtoni Presidencën në një mënyrë kaq parimore”, shkroi Zelensky. /Zëri.ai/