
TIRANË- Kryeministri Edi Rama së bashku me ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxhën dhe me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Prodën zhvilluan një takim me ish-punonjësit e Policisë së Shtetit, Agjencinë të Mbikqyrorjes Policore, Gardën dhe me Zjarrfikësit. Rama gjatë takimit që u zhvillua në Kryeministrinë tha se këtë vit bonuset e fundvitit dhe të pranverës do të jenë më të larta se vitet e kaluara, ku shtoi se do të rriten edhe pensionet.
“Ne duam të kthehet në një mundësi të vit për vitshme. Ndërsa nga ana tjetër jemi në procesin e përgatitjes së një rritjeje të fondit të pensioneve qoftë duke rritur të ardhurat nga sigurimet shoqërore por edhe duke rritur buxhetin në dispozicion të pensioneve. Besoj se për të gjithë ata që bëjnë llogari, shumë e qartë bëhet fjalë për një numër shumë të madh pensionistësh dhe shifra shumë të mëdha për buxhetin tonë. Kjo vlen edhe për vendet më të zhvilluara. Kur vjen puna tek pensionet kanë sfidë në vete dhe në çdo vend ky është debat i vazhdueshëm. Plani i rritjes graduale të pensioneve nuk do ishte diskutim që do bëhej. Sot ekonomia na e ka krijuar këtë mundësi,”- tha Rama.
Po ashtu Rama foli për humbjet e jetëve të punonjësve të policisë, duke përmendur dhe 227 dëshmorët e Policisë së Shtetit që kanë humbur jetën në krye të detyrës. Më tej, kryeministri shtoi se pensionet janë rritur në krahasim me vitet e kaluara dhe u shpreh se do të ketë ende rritje.
“Nuk e harroj kur asokohe në opozitë shkonim herë pas here tek shtëpia SHQUP, te godina e ish-shtëpisë së ushtarakëve për të bërë homazhe. Mblidheshin drejtuesit e policisë, kolegë, shok të atyre që kishin rënë në krye të detyrës. Kjo e bën më të madhe detyrën për të qenë falenderues ndaj të gjithëve ju. Pensionistët nga 2014 e sot me reformën e bërë janë trajtuar si të nënës. Përpara si të njerkës. Ky është dallimi. Shumë i dhimbshëm. Lexohet në të gjitha shifrat. Mjafton të shikosh kolonat. Para dhe pas 2014. Me diferencë ndryshe. Çdo pagë që rritet është lajm i mirë për fondin e pensioneve. E shikoni vetë. E ndiqni policinë e shtetit. Është si një skuadër ku edhe kur ka ndaluar së luajturi je i lidhur me të. Ne po bëjmë çmos të rrisim prestigjin e policisë së shtetit. Pagat, të rrisim teknologjinë. E sigurt të gjitha ato arritjet e policisë që mund ti numërojmë nuk do kishin ndodhur ju të gjithë. Megjithëse nuk jeni aktivë sot jeni baza ku është ndërtuar muri gur pas guri i policisë. Jeni dhe të gjithë mësues në punë. Të arrijmë të mbyllim negociatat përpara se BE të kthehet në atë humorin e mëparshëm. Po shkojmë të bëjmë atë gjënë nesër. Paçi vetëm shëndet dhe mirësi në familjet tuaja dhe jetofshi sa më gjatë që të shikoni meraqet tuaja. Unë i di mirë, por nuk po e përmendim që të mos ju marrim në sysh,”- tha Rama.
Po ashtu edhe ministri i Brendshëm Ervin Hoxha vlerësoi punën e ish-punonjësve të policisë ndër vite ku dhe shtoi se numri i vrasjeve në Shqipëri është ulur.
“Fakti se 227 Dëshmorë të Atdheut kanë humbur jetën në krye të detyrës është dëshmi e sakrificës për mbrojtjen e rendit, sigurisë dhe të ardhmes së Shqipërisë. Ky është një borxh që shteti dhe shoqëria jonë nuk mund ta harrojë dhe nuk mund ta shpërblejë kurrë plotësisht. Frytet e punës suaj ndër vite janë të prekshme sot. Në vitin 2013, numri i vrasjeve me dashje në vend ishte 107. Sot, ky numër është ulur 3 herë, duke sjellë Shqipërinë në nivelin mesatar europian për kriminalitetin. Këto përmirësime nuk janë rastësi, por rezultat i drejtpërdrejtë i punës suaj të palodhur, i reformave dhe investimeve në sektorin e sigurisë,”- tha Hoxha. /ZËRI