Politikë

'Profesionet e lira' në Komisione/ Financa: Rimbursimi brenda dhjetorit! Tabaku: Hap i vonuar

Këshilli i Ministrave propozoi aktin normativ sipas të cilit të gjithë kategorisë së tatimpaguesve, të cilët kanë paguar këstin e tatim fitimit do t’iu bëhet rimbursimi nga administrata tatimore brenda datës 30 dhjetor të këtij viti.

F.I
'Profesionet e lira' në Komisione/ Financa: Rimbursimi brenda
Jorida Tabaku dhe Arjana Dyrmishi

TIRANË-Drejtoresha e Përgjithshme e Politikave Tatimore në Ministrinë e Financave, Arjana Dyrmishi, prezantoi sot në Komisionin e Çështjeve Ligjore aktin normativ për një shtesë në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”.

Dyrmishi, theksoi se akti normativ synon rregullimin e pasojave financiare që kanë prekur profesionistët e lirë. Për ata që kanë paguar këstet e tatimit, do të kryhet rimbursimi, ndërsa këstet e papaguara do të anulohen, duke i kthyer llogaritë në gjendjen fillestare. Këshilli i Ministrave propozoi aktin normativ sipas të cilit të gjithë kategorisë së tatimpaguesve, të cilët kanë paguar këstin e tatim fitimit do t’iu bëhet rimbursimi nga administrata tatimore brenda datës 30 dhjetor të këtij viti.

“Kur u hartua ligji i ri për tatimin për të ardhurat ishte parashikuar që etnitetet dhe individët e vetëpunësuar që ofrojnë shërbime profesionale dhe kanë një qarkullim deri në 14 milionë lekë nuk do të aplikohet norma tatimore 0 %, por ato do të trajtohen dhe përfshihen në skemën progresive të tatimit mbi të ardhurat. Kjo dispozitë ligjore kaloi në shqyrtim në Gjykatë Kushtetuese, e cila me vendim 52 të 27 qershorit të këtij viti e ka shfuqizuar pikërisht germën dh të pikës 1 të nenit 69 si edhe nenin 4 të Vendimit të Këshillimit të Ministrave, që ka dalë për dispozitat zbatuese për ligjin për “Tatimin mbi të ardhurat” ku ishte parashikuar lista analitike e shërbimeve profesionale, por që i ofronin këto nene ose tatimpagues me qarkullim deri në 14 milionë lekë. Ndërsa për të gjithë ata që nuk i kanë paguar por i kanë këstet në sistem të gjeneruara, nëpërmjet këtij akti normativ do t’i fshihen këto këste në mënyrë që në fund të këtij viti gjendja të jetë zero si gjendja fillestare”, u shpreh Dyrmishi.

Ndërkohë akti normativ, që i rikthen Profesionistëve të Lirë paratë që iu morën padrejtësisht nga taksa që u shpall më pas antikushtetuese është diskutuar edhe në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave. Deputetja Jorida Tabaku, e cila ka propozuar pak javë më parë një propozim ligjor për rikthimin e këtyre parave, ka deklaruar se mazhoranca dhe Ministria e Financave u përpoqën të shpërfillnin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, përmes zvarritjeve dhe shkresave të panevojshme. Sipas saj akti normativ është i vonuar.

"Akti Normativ është një hap i vonuar dhe vjen si rezultat i një vendimi të qartë të Gjykatës Kushtetuese, por edhe i presionit të një beteje të drejtë të Partisë Demokratike dhe Profesionistëve të Lirë. Ky vendim tregon se qeveria, ndonëse me vonesë, di të kthehet në binarët e ligjshmërisë. Nëse kjo taksë e padrejtë nuk do të ishte mbledhur, sot nuk do të nevojitej një Akt Normativ për të korrigjuar tre gabime të qeverisë: së pari, vendosjen e taksës; së dyti, shpërfilljen e vendimit të Gjykatës; dhe së fundmi, zvarritjen e tij. Ajo që ndodhi është një shembull i qartë i pabarazisë dhe pandershmërisë që qeveria përdor përmes ligjeve. Ligjet nuk mund të jenë barrë antikushtetuese për qytetarët, ” përfundoi Tabaku, duke vlerësuar qëndrimin e opozitës dhe bashkimin e Profesionistëve të Lirë në këtë betejë për drejtësi dhe barazi. Pabarazia dhe pandershmëria nuk mund të shpëtojnë pa u sfiduar në Gjykatën Kushtetuese, sepse një qeveri që përdor ligjet për të mbjellë pabarazi, nuk është qeveri e drejtë,"- u shpreh Tabaku.

Sipas opozitës, për rreth 6541 tatimpagues, të cilët kanë paguar në periudhën janar – qershor 2024, duhet të ketë një rimbursim të plotë të shumës prej 500 milionë lekësh. Profesionistët e lirë me të ardhura deri në 14 milionë lekë do të marrin mbrapsht tatimin e parapaguar brenda 30 dhjetorit të këtij viti./ZËRI

Poll

MOS HUMB