
TIRANË- Kryeministri shqiptar Edi Rama ka nisur një betejë të dytë me mediat italiane, këtë herë me ‘La Repubblica’, që sipas tij ka devijuar bisedën që ai ka bërë në lidhje me ndërtimin e kampit të refugjatëve në Gjadër. Sipas medias italiane, kryeministri shqiptar Edi Rama kishte akuzuar Italinë për burokraci, dhe kishte paralajmëruar një skadim të mundshëm të afateve për ndërtimin e kampit. Megjithatë gjatë ditës së sotme, në një reagim në X, Rama tha se ai ka përfunduar sërish në kënetën e medias italiane, dhe pretendon se në asnjë moment të bisedës së tij me gazetarët nuk ka përmendur çështjen dështim. Rama vijon më tej duke thënë, se edhe nëse do të kthehej pas ai do ta nënshkruante sërish marrëveshjen me kryeministren italiane Giorgia Meloni.
Pjesë nga shkrimi në median italiane:
“Shqipëria ofroi disponueshmëri dhe tokë, por asgjë më shumë”. Kështu u shpreh kryministri italian Edi Rama për mos hapjen në kohën e parashikuar të dy qendrave për pritjen e emigrantëve në Shëngjin. Në një intervistë për gazetarin e “La Repubblica”, Gerardo Greco, kreu i qeverisë shqiptare ia faturoi përgjegjësinë mos realizimin në kohë të këtij projekti qeverisë italiane.
Hapja e dy qendrave për pritjen e emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër ishte planifikuar më 20 maj, por u shty për shkak se punimet nuk kishin përfunduar.
Për kryeministrin Edi Rama problem do të jetë funksionimi i tij, pasi do të jetë shumë e vështirë për procedurat dhe menaxhimin e 3 mijë personave në 28 ditë me burokracitë italiane dhe rregullat evropiane.
“Qendra do të jetë gati për disa muaj gjithsesi, kjo nuk është asgjë! Por problemi do të jetë funksionimi i saj! Dhe do të jetë shumë e vështirë për procedurat: si do të menaxhoni 3000 persona në 28 ditë me burokracitë italiane dhe rregullat evropiane?”.
Marrëveshja për emigrantët e Italisë me Shqipërinë u prit me kundërshti nga opozita e të dy vendeve.
30 deputetë të opozitës e dërguan çështjen në Gjykatën Kushtetuese me pretendimin se marrëveshja Rama-Meloni shkel Kushtetutën, por që u hodh poshtë nga ky institucion.
Më 22 shkurt marrëveshja u ratifikua në Kuvendin e Shqipërisë në një seancë të zhurmshme dhe që zgjati vetëm 10 minuta me 77 vota pro. Votave të Partisë Socialiste iu bashkua edhe PDIU.
Ndërsa më herët më 15 shkurt, senati italian e miratoi projektligjin për ratifikimin e protokollit Itali-Shqipëri, për marrëveshjen e strehimit të emigrantëve, me 93 vota pro dhe 61 kundër.
Sipas marrëveshjes emigrantët do të zbarkojnë në portin e Shëngjinit dhe do të qëndrojnë në kampin e Gjadrit, gjatë periudhës që kryhen procedurat për azil në Itali. Investimi me vlere 653 milionë euro po bëhet me fonde të qeverisë italiane bazuar në marrëveshjen Rama-Meloni firmosur në nëntor të vitit 2023.
Reagimi i Ramës:
Jo, nuk ndryshova mendje dhe nuk dhashë një intervistë. Kam vepruar si një shqiptar që praktikon fenë tonë të lashtë të mikpritjes, shtëpinë e shqiptarit dhe të Zotit dhe të mikpritësit, duke u ofruar kafe miqve të ardhur nga Italia në Tiranë. Biseduam për shumë gjëra në një atmosferë të bukur miqësie dhe sigurisht edhe për marrëveshjen dhe historinë e emigracionit të paligjshëm nga Shqipëria në Itali, të cilit qeveria D'Alema arriti t'i japë fund me një sens të shëndoshë dhe largpamësi strategjike. Por nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të përfundoja edhe një herë në kënetën e betejës politike italiane në thonjëza me fjalë që nuk i thashë kurrë, si "do të jetë një dështim" ose "do të donim D'Alema" nën titullin "Rama hedh poshtë Melonin” në të cilin nuk e njoh fare veten.
Megjithatë, e përsëris: Nëse do të më duhej t'i ktheja hapat e mi njëqind herë, do të bëja marrëveshjen për emigrantët me Italinë dhe me asnjë vend tjetër. E kam thënë gjithmonë se për mendimin tim është një gjë e re që do të duhet të përballet me provën e realitetit. Por nëse në realitet publikon një foto të një kantieri në orët e para të punës, shoqëruar me titullin "800 milionë të hedhura në ajër", atëherë ne jetojmë në botë paralele dhe asgjë nuk mund të na afronte me sfidën e vërtetë gjigante të emigracioni i paligjshëm, në një Evropë që duhet të bashkohet për të luftuar në të njëjtën kohë trafikun kriminal të të varfërve dhe dimrin demografik që kërcënon gjithnjë e më shumë të ardhmen e tij, ndërkohë që politikanët duken si priftërinjtë e Kostandinopojës që u zhytën aq shumë në debatin mes tyre për seksin e engjëjve dhe nuk e kuptuan se muret e qytetit ishin tashmë të shpuar nga të gjitha anët.
/ZËRI